Banorët e Konjares thirren në polici pas protestës, reagon ashpër Ziadin Sela

Banorët e fshatit Konjare e Mesme protestuan dje dhe sot duke bllokuar autostradën, kundër gërmimeve që bëhen nga një kompani në Lumin Pçinja. Nga gërmimet, banorët thonë se u rrezikohen shtëpitë, por edhe flora dhe fauna në atë rajon. Institucionet kanë premtuar disa herë, por asnjë hap konkret nuk është marrë në këtë drejtim. Kompania që ka marrë koncesionin dhe po kryen gërmimet, sipas banorëve është e afërt me pushtetin, ndërsa sa herë që këta banorë kanë ngritur zërin, presioni ndaj tyre prej koncesionerit ka qënë shumë më i madh. Sot, në orët e mbrëmjes, banorët që protestuan janë thirrur në polici. Siç thuhet, janë rreth 100 banorë të Konjares që janë ftuar në Stacionin e Policisë në Autokomandë, përcjell in7.

Ka reaguar menjëherë kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili e ka quajtur shtet policor Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, shteti sa herë që protestojnë shqiptarët, tregon forcën duke kufizuar vendin dhe territorn e protestës, duke u munduar që ta ndalojë të drejtën për të protestuar. Por sipas tij, shteti policor çdoherë përfundon me grusht të popullit.

“Liria e një qytetari nuk matet sipas natyrës së makinerisë shtetërore nën të cilën ai ndodhet (shtet me demokraci përfaqësuese apo monarki), por sipas vogëlsisë relative të kufizimeve që imponohen.
Protesta është bërë akt i dënueshëm në Maqedoninë e Veriut, sidomos kur protestojnë bashkësitë etnike jomaqedonase e sidomos kur janë shqiptarë. Ne na ndalet protesta edhe pse është e drejtë e garantuar me kushtetutë në mes të marshutës e për çudi çdoherë kordoni policor është në kufirin që ndanë komunën e Çairit me komunën Qendër.