Bashkatdhetarët ende paguajnë sigurimin kufitar

Bashkatdhetarët tanë ende po vazhdojnë të paguajnë sigurimin kufitar, edhe pse Qeveria e kaluar në mbledhjen e fundit të saj kishte marrë vendim për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020.

Mërgimtarët shprehen të indinjuar që nuk po zbatohet një vendim i tillë, i cili është në dobi të diasporës.

Reklame

Ndonëse, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë thënë se ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk janë konkretizuar modalitetet e zbatimit.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje.

“Qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të fundit më 03.06.2020, nëpërmjet Vendimit Nr. 05/39 ka aprovuar fillimin e procedurave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë në vitin 2020, dhe që janë subjekt i policës kufitare. Ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk ka konkretizuar modalitetet e zbatimit. Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje”, thotë Shahini.

Bashkatdhetari Besart Musliu i cili jeton dhe vepron në Luksemburg, më 10 qershor ishte nisur me shumë vullnet për Kosovë, por në Merdarë ishte detyruar ta paguaj sigurimin, për çka ai është shprehur i habitur përse nuk është duke u implementuar vendimi për kompensimin e këtij sigurimi.

Përveç kostos materiale, Musliu thotë se po krijohen edhe radhë të gjata pritjeje në kufi për mërgimtarët.

“Unë para se me u nisë prej Luksemburgut kam dëgjuar në televizor s’e për të gjitha ata që vijnë prej jashtë, këtë sigurim e kanë tërhequr për vitin 2020. Por, kur erdha (në Merdarë) me thanë që duhet me paguar. Madje, unë i pyeta s’e keni tërhequr, më thanë jo. Unë iu thash se në TV e kam parë para do dite që s’kemi më nevojë me pagua. Aty një zyrtar qeshi dhe më tha: “Jo mos shiko shumë televizor”. Kështu që nuk është problemi vetëm te parat, për 15 euro, por krejt problemi është se kur po vijmë në kufi, ne po i bëjmë 2 mijë kilometra dhe kur po vijmë aty, vetëm 20 vetura me qenë, nga 20 minuta vonesë, po presim nga dy-tri orë në kufi”, theksoi Musliu.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere Hekuran Murati thotë se ka mungesë të vullnetit politik që të realizohet ky vendim për mbështetjen e diasporës.