Bashkë me Kurtin në takimin me Thaçin ishte një kinez, ja kush ishte

Në takimin e sotëm ndërmjet presidentit të Republikës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Albin Kurti, ishte edhe një shtetas amerikan.

Bëhet fjalë për kinezin, Tienmu Ma, personi në cilësinë e ekspertit ndërkombëtar në Komisionin Hetimor për dëbimin e “gylenistëve”, kishte përpiluar raportin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Ma, kishte gjetur 31 shkelje gjatë procesit të dëbimit të “gylenistëve”. Pjesë e raportit është edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë gylenistëve vitin e kaluar, pasi kishte thënë se i druhet ekspertit të huaj ligjor të angazhuar nga Komisioni.

Në atë mbledhje të komisionit, Thaçi kishte thënë se amerikani Tienmu Ma është këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe është mik me Sami Kurteshin.

“Instistoj. Eksperti ndërkombëtar, a e ka aprovimin e ndonjë zyre ligjore të Kuvendit të Kosovës? A lejohet për t’u angazhuar ky ekspert ligjor, mbi ç’bazë e keni angazhuar ju? Tashmë doli që është i preferuar i zotit Kurteshi, mik i zotit Kurteshi dhe këshilltar i një partie politike që e përfaqëson Samiu”, kishte thënë Thaçi.

Ndërsa, Kurteshi kishte thënë se Tienmu Ma është doktorant i universiteteve të Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe atij të Lucernit në Zvicër.

Derisa, ka punuar prej vitesh si këshilltar ligjor në institucionin e Avokatit të Popullit, udhëheqës i së cilit kishte qenë Kurteshi disa vite më parë.

“Eksperti është Tienmu Ma, që ka punuar si këshilltar i Avokatit të Popullit. Është doktorant i Universitetit ‘Yale’ në SHBA dhe doktorant i Universitetit të Lucernit. Tienmu Ma, ende është ekspert i Avokatit të Popullit dhe është përpilues i raporteve si ato për rrymën në veri apo të tjera të cilat ju i lexoni”, kishte thënë Kurteshi.

Tienmu Ma kishte gjetur 31 shkelje gjatë dëbimit të “gylenistëve”.