BDI: Gostivari meriton ndryshim

Gostivari i Blertë me ajër të pastër, është baza e Platformës së BDI-së për qytetin e Gostivarit e prezantuar sot nga kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Bashkim Hasani.

Ai tha se Gostivari meriton ndryshim dhe t’i jepet fund kaosit të krijuar nga qeverisja aktuale e Taravarit.

“Është koha të ngrihemi për Gostivarin, të ndalojmë kaosin, ta çlirojmë qytetin nga qentë endacak, ta shëndrrojmë deponinë Rusino në një deponi të sigurtë e të rregullt dhe të largojmë kazinot nga qendra e qytetit. Pikësynimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim për Gostivarin janë:

më shumë gjelbërim dhe ndërtim të pjesës së pazhvilluar të parkut,
shtigje të reja vrapimi dhe ciklizmi,
pastrimi i qytetit nga mbeturinat dhe ndotja duke pasur në fokus të punës rregullimin e deponisë Rusino sipas të gjitha standardeve ekologjike,
ndërtimi i një qendre të posaçme dhe moderne për strehimin dhe trajtimin e qenve endacak,
kazinot dhe lojërat e fatit do ti zhvendosim nga vendbanimet dhe lagjet tona.

Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e realizimit të shumë projekteve për një infrastrukturë moderne si: tre parkingje nëntokësore, ashtu si dhe ndërtimi i urës së re që do mundësojë lidhje me autostradën rajonale – e ndërtuar bashkë me ekspertët gjatë planifikimit urbanistik. Do të zgjidhim problemin e parkingut e do të sjellim rend në qarkullimin e trafikut, kështu theksoi Hasani gjatë prezantimit të Platformës për Zgjedhjet lokale në Gostivar.