BDl: 2020-ta, vit i Evropës

Advertisment

Partia në pushtet Bashkimi Demokratik Për Integrim pret që viti 2020 të jetë viti i Evropës. ‘Nëse 2019-ta ishte viti i NATO-s, BDI pret që 2020-ta të jetë vit i Evropës. Presim shumë nga presidenca kroate veçanërisht edhe për shkak të faktit se të gjithë në BE e kuptuan se gabuan. Andaj presim së shpejti miratimin e metodologjisë së re, pastaj raport të jashtëzakonshëm në shkurt dhe vendim për fillim të bisedimeve në mars. Mirëpo e jona është të vazhdojmë të punojmë, kurse premtimet do t’ia lëmë BE-se t’i bëjë”-thonë nga BDI.

Që nga 1 janari Kroacia mori Presidencën me BE-në, me ç’rast kryeministri kroat, Pelnkoviç u zotua se në Samitin e Zagrebit në maj do të fillojnë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga ana tjetër, mbetet pezull integrimi i vendit në NATO për shkak të situatës politike në Spanjë. Mbetet të shihet nëse në votimin e nesërm në ligjvënësin spanjoll, mandatari socialist, Pedro Sançez do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për koalicionin qeveritar dhe vetëm pas normalizimit të situatës politike atje, të mund të pritet ratifikimi i Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Reklame

Nga Kuvendi i Shkupit nuk japin informacione nëse dhe kur do të vendoset në rend dite nënshkrimi i parakohshëm i Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO, nismë kjo e Qeverisë për të mos u bllokuar integrimi i vendit me shpërbërjen e Kuvendit për zgjedhjet e prillit.