BDl ka dy kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

Advertisment

BDI ka shprehur dy kushte për tu mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhej të mbaheshin më 12 prill, por për shkak të koronavirusit u prolonguan.

“Zgjedhjet mund të mbahen në çdo kohë, nëse përmbushen dy kushte – njëri është Komisioni i Sëmundjeve Infektive të thotë se procesi i tillë nuk do ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve dhe i dyti – OSBE/ODIHR të konstatojnë se mund t’i monitorojë zgjedhjet”, theksoi zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.

Reklame

Sipas tij, kushti i dytë është potencuar edhe pas komunikimit të djeshëm me trupat e BE-së, të cilët, kanë vlerësuar se vendimi për zgjedhje i takon Maqedonisë së Veriut, megjithatë është theksuar rëndësia e monitorimit të procesit zgjedhr nga OSBE/ODIHR.

“Kjo do të thotë që nëse këto dy kushte përmbushen, nëse Komisioni thotë se nuk ka rrezik për shëndetin e njerëzve që ata të votojnë, të organizohen, dhe vëzhguesit të konkludojnë se mund të vijnë dhe të monitorojnë zgjedhjet, ne jemi të mendimit se zgjedhjet mund të mbahen në çdo kohë”, tha Osmani.

Sipas tij, që të mbahen zgjedhjet, duhet të bëhet analizë në bazë të parametrave aktuale, në bazë të një trendi.

“Prandaj, për shembull, edhe masat e lehtësimit nuk i japim sot i planifikojmë për të premten, në mënyrë që të kemi trend një javë. Kur do të merret vendimi për zgjedhjet, Komisioni duhet të shohë profesionalisht trendin, sepse trendi tregon projeksionin për periudhën e ardhshme, si do të jenë dhjetë ose njëzet ditët e ardhshme”, vlerësoi zëdhënësi i BDI-së dhe zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.(INA)