BDl: Keqardhje për komentet e Zaevit, urojmë sukses për LSDM dhe vazhdim të bashkëpunimit

Advertisment

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh keqardhje për komentet e sotme të drejtuesit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe partner aktual i koalicionit tonë qeverisës, z. Zoran Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk pendohet për koalicionin me LSDMnë në vitin 2016, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, në referendumin e vitit 2018, por edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

Reklame

Përkundrazi, konsiderojmë që bashkëpunimi jonë ia ndryshoi vendit emrin, e ndryshoi kushtetutën, përmbylli marrëveshjet me Greqinë dhe Bulgarinë si dhe pjesën normative të marrëveshjes paqësore të Ohrit bashkë me
reformat në sistemin e sigurisë, administratë dhe në gjyqësor, andaj dhe ne nuk pendohemi që lidhëm koalicion në vitin 2016 me partinë humbëse në rrethana shumë specifike.

Bashkëpunimi jonë në zgjedhjet lokale solli fitore bindëse për LSDMnë edhe në Shkup, Kumanovë, Veles, Manastir, Ohër dhe shumë komuna të tjera dhe ne nuk pendohemi që e kemi ndihmuar Lidhjen Social Demokrate.

Gjithashtu nuk pendohemi edhe që bashkarisht bëmë fushatë për referendum për ndryshim të emrit, e aq më shumë që nuk lejuam mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme pas referendumit, por insistuam në gjetjen e minimum 8
deputetëve për ndryshim të kushtetutës dhe këtë e bemë.

Ndërsa, zgjedhjet e fundit presidenciale ishin ngadhnjim i konceptit tonë të konsensualitetit sepse u dëshmua që kandidati partiak për president nuk fiton dot, ndërsa kur është konsensual, ai ose ajo ngadhnjen.

Bashkimi Demokratik për Integrim uron sukses për Lidhjen Sociale Demokrate të Maqedonisë në këto zgjedhje dhe shpresojmë që bashkëpunimin tonë të suksesshëm ta vijojmë edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut.