BE i kërkon sërish falje Italisë: Nuk ishim aty kur kishit nevojë

Advertisment

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i ka kërkuar sërish falje Italisë, duke konfirmuar se BE-ja gaboi duke e lënë të vetme, në periudhën më të vështirë të pandemisë.

Duke folur nga Parlamenti Europian, ajo theksoi se është koha për të vepruar dhe ndihmuar shtetet anëtare.

Reklame

“Është e vërtetë që shumë nuk ishim aty, kur Italia kishte nevojë për ndihmë në fillim të kësaj pandemie. Dhe është e vërtetë, që BE tani duhet t’i kërkojë falje Italisë, dhe këtë po bën. Por kërkim-faljet vlejnë vetëm nëse ndryshohet sjellja”, deklaroi Von der Leyen.

Von der Leyen shtoi më tej se u desh shumë kohë që të gjithë të kuptonin se duhej të mbronin njëri-tjetrin, megjithatë thekson se tashmë Bashkimi Europian është bërë zemra rrahëse e solidaritetit europian.

“Guxoni ta mbroni Bashkimin Europian. Sepse ky Union i yni, do të na nxjerrë përtej krizës. Dhe nesër do të jetë po aq i fortë, sa i përkushtohemi ne sot. Nëse keni nevojë për frymëzim, shikoni qytetarët europianë, të cilët janë bërë bashkë duke treguar ndjeshmëri, përulësi dhe humanizëm”, shtoi presidentja e Komisionit Europian.

Sa i përket aspektit ekonomik, presidentja e Komisionit Europian tha se Blloku ka bërë më shumë në katër javët e fundit se sa në katër vite të krizës së fundit. Von der Leyen nënvizoi se është arritur një përgjigje e përbashkët, duke mobilizuar një fond prej 3 trilionë eurosh./Opinion.al