BE-ja kërkon të parapaguajë blerjen e vaksinës edhe për vendet e varfra

Bashkimi Europian po harton një propozim që u kërkon vendeve të pasura të botës që të negociojnë me kompanitë farmaceutike dhe të parapaguajnë për zhvillimin e vaksinave kundër koronavirusit. Sipas presidentes së Komisionit Ursual Von Der Leyen, kështu do të shmanget gara mes superfuqive për vaksinën.

Bashkimi Europian kërkon të bindë partnerët e vet ndërkombëtarë për të blerë bashkërisht vaksinat kundër koronavirusit të ri. Nisma u propozua nga presidentja e Komisionit Ursual Von Der Leyen dhe synim kryesor sipas saj, është shmangia e ‘konkurrencës së dëmshme’ mes fuqive të mëdha për vaksinën.

Reklame

Ky plan është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të siguruar doza të mjaftueshme për bllokun dhe për vendet më të varfra të botës, nëse vaksina zhvillohet nga vendet më të pasura, si Shtetet e Bashkuara apo nga Kina.

“Ne do të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të rezervuar një kontingjent vaksinash për vendet me të ardhura të mesme të dhe ulëta. Vendet e pasura duhet të bashkohen dhe kështu të ndihmojnë qasjen maksimale të të gjithë atyre që kanë nevojë,” tha Von Der Leyen.

Sipas planit, vendet e pasura do të negociojnë me prodhuesit farmaceutikë dhe parapaguajnë për vaksinat e mundshme.

“Kur luftojnë një pandemi globale nuk ka vend të themi “unë i pari”. Europa nuk është një ishull i veçuar. Ekonomitë tona janë të ndërlidhura,” tha ajo.

Një samit global mbi strategjitë e vaksinave është planifikuar të zhvillohet më 27 qershor pas një fushate për mbledhjen e fondeve të domosdoshme për zhvillimin dhe blerjen e vaksinës për vendet më të varfra.