Bekteshi thotë se ka mjaftueshëm rezerva ushqimore, nuk ka nevojë për panik

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pas takimit të sotëm me pronarët dhe menaxherët e marketeve si dhe distributorët njoftoi se është siguruar nga ata se në Maqedoninë e Veriut ka mjaftueshëm rezerva ushqimore për produktet bazë.

“Së bashku me inspektoratin tregut dhe me pronarët dhe menaxheret e supermarketeve si dhe me distributorët kemi pasur një takim shumë konstruktiv. U dakorduam që ka numër të madh produktesh në dispozicion.

Reklame

Nuk ka nevojë të krijohet panik. Unë i njoftova edhe me masën e qeverisë për ndalesën për rritjen e çmimeve. Së bashku me inspektoratin e tregut do të ndjekim situatën dhe do t`i rrisim kontrollet nëpër barnatore dhe dyqane. Në Maqedoninë e Veriut ka mjaftueshëm produkte për të cilat kanë nevojë qytetarët. Neve na mbetet të kemi më shumë kujdes”, tha Bekteshi.

Ndërkaq importuesit e dhe distributorët theksuan se nëpër depot në Maqedoninë e Veriut ka mjaftueshëm rezerva për periudhë 1 mujore dhe se qarkullimi i mallrave po vazhdon, respektivisht do të ketë mallra të reja.

“Vetëm javën që shkoj kishim turbulencë në rrjedhën e distrubuimit, duke pasur parasysh që qeveria dhe MPJ-ja me urgjencë hapi koridore me vendet që kishin ndalesë, prej dje koridoret dhe rrjedhja e mallrave vazhdon pa problem. Në vendet tona kemi stoqe për afat kohorë një mujorë. Mirëpo kemi rrjedhë në kontinuitet të produkteve. Produkte dhe mallra do të ketë”-tha Xhemal Dauti, importues.