Besimi: Ndihmë financiare për ato që kanë humbur vendet e punës, studentët dhe familjet në nevojë

Advertisment

Ministri i Financave në Maqedoni të Veriut Fatmir Besimi, për “Euronews Albania” sqaroi paketën e katërt ekonomike që është menduar për të përkrahur qytetarët e prekur nga kriza e pandemisë së COVID-19.

“Janë tre kategori, qytetarët, aspekti shëndetësor dhe social i tyre, kategoria e dytë janë ndërmarrjet dhe ruajtja e vendeve të punës, dhe kategoria e tretë ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit makro-financiar, nga 470 milionë euro 170 milionë janë masa që kanë ndikim direkt në buxhetet vendore, do të rritet deficiti buxhetor, një pjesë do të financohet nga borxh i jashtëm, rishikim apo rialokim të fondeve ndërsa pjesa tjetër me borxh publik”, u shpreh Besimi teksa e cilësoi si paketën më të madhe ekonomike të propozuar dhe aplikuar deri më sot për pandeminë.

Reklame

Qeveria synon që brenda kësaj jave të ketë përfunduar procedurat dhe javën tjetër rishikimi i buxhetit të kalojë për miratim në parlament.

Besimi tregoi se 310 milionë euro janë kryesisht kredi nga Banka Evropiane për Investim dhe Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut dhe do të shkojë për kredi me interesa të ulëta për ndërmarrjet.

Po kështu 31 milionë euro parashikohet të jenë grante për femrat dhe të rinjtë në biznes, që sipas Besimit do të rrisin konkurrencën dhe frymën e re në biznes.

“Faktikisht këto janë një pjesë e masave, do të ndihmohen financiarisht ndërmarrjet që humbën punën, punonjësit që humbën vendin e punës, studentët por dhe familjet në nevojë”, u shpreh Besimi, i cili tha se paralelisht qeveria po punon për të hartuar buxhetin për vitin 2021.

Kriza prej pandemisë përshkruhet si më serioze se sa ajo e krizës ekonomike të rreth dhjetë viteve më parë dhe kjo sipas ministrit Besimi kërkon angazhim më të madh për të parandaluar efektet afatgjata.