Bexheti: Me mësimin hibrid në UEJL e kemi kthyer procesin arsimor në normale

Advertisment

Në Maqedoninë e Veriut, si në gjithë botën, u pengua procesi arsimor si shkak i pandemisë globale. Universiteti i Evropës Juglindore bëri përgatitjet e duhur dhe nga 1 tetor filloi me mësimi hibrid, që del të jetë i suksesshëm. Telegrafi Maqedoni ka biseduar me rektorin Abdylmenaf Bexheti për të mësuar rreth organizimit të kësaj forme të procesit të studimeve dhe ka folur për sfidat e këtij universiteti në përgjithësi.

Pandemia Covid19 po zgjatë dhe viti i kaluar akademik u mbyll në kushte të kësaj pandemie. Si e përfunduat vitin akademik 2019-20?
Që nga 10 marsi, në javën e katërt të mësimdhënies, kaluam përnjëherë, pa humbur as edhe një ditë në leksione nga distanca dhe i përfunduam plotësisht në këtë format. Mësimdhënia u realizua, por jo edhe mësimnxënia si në kushte normale!

Reklame

Përderisa kolokiumet e para i realizuam në distancë, ato të dytat dhe provimet përfundimtare si në qershor, ashtu edhe në shtator, i realizuam në format të kombinuar-me rreth 2/3 e studentëve me prezencë fizike dhe rreth 1/3 nga distanca.

Nëse do t’i referohemi vlerësimit të studentëve, mbi 70% e tyre ishin të kënaqur me menaxhimin kësisoj të procesit akademik, si dhe referuar në bazën e të dhënave për kalueshmëri dhe vlerësim nga stafi, krahasimisht me afatet e njëjta në periudha paraprake (normale) shmangiet nuk shkonin më shumë se 1,5 deri 2%. Pra, në bazë të këtyre shënimeve, në përgjithësi mund të vlerësojmë se ,,ia dolëm”. Problemet që i evidentuam deri në fund të qershorit ishin të natyrës së interaktivitetit më të dobët dhe të besueshmërisë së plotë të provimeve.

A ndikoi mësimdhënia online në cilësinë e shërbimeve që ofroni dhe si e pritën studentët kalimin nga mësimdhënia klasike në atë online?
Po, sigurisht. Posaçërisht në aspektet që i nënvizova më lart. Megjithatë, kjo na ndihmoi që të përgatitemi shumë më mirë dhe ta fillojmë vitin akademik edhe për ata në distancë shumë më të përgatitur. Gjithkush shprehet se procesin e mësimdhënies e kemi pas ,,online”, pa e ditur dallimin midis mësimdhënies online dhe vetëm me përdorimin e mjeteve teknologjike nga distanca. Programet, materialet, vlerësimet si dhe procesi online në esencë është krejt tjetër nga ajo që ndodhë këndej. Ky proces kërkon elaborim të gjatë! Prandaj, gjatë korrikut, para pushimeve dhe në mes të gushtit, pas pushimeve organizuam trajnim specifik katër ditor të stafit për të përgatitë materialet online dhe sistemin e përditësuar për mësimdhënien online. Inkuadruam edhe trajnues nga partneri ynë strategjik, Universiteti i Indianes nga ShBA, të cilët tash e 20 vite realizojnë programe online.

UEJL, i vetmi në Maqedoninë e Veriut, ndoshta edhe në rajon, vitin e ri akademik 2020-21, e filloi më herët. Pse e ndërmorët këtë hap, ose pse filluat më herët me ligjëratat?
Thjesht, te shfrytëzojmë motin e mirë dhe virulencën e ulët të virusit. Sot, përmbushim javën e tretë me sistem të kombinuar (hibrid), ku rreth 90% e mësimdhënies realizohet me prezencë fizike dhe rreth 10% nga distanca. Nëse do të ashpërsohet virulenca dhe rritet infektimi, siç pritet (me valën e tretë), së paku deri atëherë të kemi realizuar më shumë se gjysmën e programit, si dhe vlerësimet me kolokiumet e para. Të gjithë studentët jashtë vendit, vendorët që jetojnë në distance të konsiderueshme nga kampuset universitare (si p.sh. Dibër, Strugë, Prespë, Kumanovë,…etj), por edhe ndonjë student që nuk ndjehet mirë me shëndet, apo ka edhe fobi nga prezenca fizike, vetëvendosin për mënyrën e ndjekjes së leksioneve.

Çfarë është mësimdhënia hibride?
Mësimdhënia hibride në kushtet tona është me orar të përcaktuar dhe në kohë reale mësimdhënësi realizon leksionet me një pjesë të studentëve në klasë, ku përveç platformës elektronike eksitojnë edhe pajisje të shtuara (kamera speciale dy dimensionale), ku ndiqet aktiviteti i ligjëruesit në mësonjëtore dhe njëkohësisht edhe interaktiviteti i studentëve në klasë dhe në platformë elektronike. Një pjesë e stafit më të avancuar në mësimdhënien online kanë krijuar leksione online që ua shpërndajnë studentëve paraprakisht. Pra, këto forma të kombinuara, gjithnjë në korniza të ,,lirisë akademike” realizohen me një shkallë të lartë të llogaridhënies së secilit staf individualisht në dekanatet përkatëse. Kjo nuk mbetet vetëm në vullnetin individual, por kemi ndërtuar instrumente motivuese financiare, ku në bazë të tre indikatorëve me matje të saktë vlerësohet dhe kompensohet individualisht secili staf mbi bazë të a. q. kompensimit variabil të pagës së secilit varësisht nga performanca digjitale.

Studentët që nuk janë nga Maqedonia e Veriut, ose nuk kanë mundësi të vijnë në kampusin në Tetovë ose Shkup, si do t’i ndjekin studimet?
Shumica, tani për tani studimet i ndjekin nga distanca. Ka individ (p.sh.nga Shqipëria), që janë edhe në prezencë fizike. Shpresojmë, nëse gjërat shkojnë si janë paraparë, me anulimin e testit PCR të ketë edhe studentë nga Kosova dhe Lugina që do jenë me prezencë fizike.

Ju keni një përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe në përgjithësi në procesin arsimor. Cili është mendimi i juaj lidhur me mënyrat e reja të mësimdhënies? A do ta ndryshojnë qasjen në procesin arsimor dhe si do të duket arsimi në përgjithësi në të ardhmen?
Edhe në mesazhin tim të fillimvitit akademik (në ueb.) kam reflektuar në bindjen time se normaliteti i ri pas Covid-19, një pjesë të mirë të përvojave digjitale, do t’i standardizojë gjithkund ku kjo është e mundur. Gjithnjë e më i madh është grupi i të a.q. ,,dyslexics students’’ (student që nuk preferojnë të lexojnë shumë), por që mësimnxënien e realizojnë edhe nga burime tjera, qofshin edhe joformale. Në botën e sotme të informacioneve burimet e të mësuarit janë të ndryshme dhe mësimnxënia duhet të verifikohet nga institucione dhe programe formale për tu dëshmuar validiteti, por të mësuarit gjithnjë e më shumë do të jetë nga burimet informale. Unë i përkas gjeneratës së moshuar, por preferoj të pranojë realitetin e gjeneratave të reja (gjenerata Z). Ne duhet tua përshtatim atyre format më atraktive dhe inovative të mësimdhënies, si dhe të jemi të pathyeshëm në verifikimin e dijeve të tyre. Nëse mund ta thjeshtësoj edhe pak, ne duhet të jemi ,,licencues” të dijeve të tyre me licenca (diploma) valide, të besueshme dhe të pranueshme gjithandej.

Kur jemi tek numrat, si kanë ndryshuar numrat me risitë e reja në Universitetin tuaj duke ju dhënë bursa nxënësve me nota të shkëlqyeshme?
Kjo do jetë gjenerata e tretë (nga 2017/18), që kur ne kemi rritje të vazhdueshme të numrit të studentëve të regjistruar përkundër gjitha trendëve rrënëse të popullatës (nataliteti rrënës, emigracioni ekonomik, emigracioni i brendshëm, preferencat për të studiuar në Perëndim,…etj). Pikërisht sot jemi në numrin katërshifror të aplikantëve për këtë vit akademik, në të tre ciklet e studimeve (si edhe vitin e kaluar) si kthesë prej gjendjes së para 4-5 viteve më pare! Por, ajo që është më e rëndësishme është suksesi i studentëve në hyrje-mbi 60% me sukses të shkëlqyeshëm! Kjo është garanci dhe parakusht i suksesit të mëtejmë. Pra, cilësia para sasisë!

Sa studentë keni pasur në vitin e kaluar dhe sa studentë keni në këtë vit akademik?
Vitin e kaluar regjistruam gjithsejtë rreth 1050 studentë (kuptohet në tre ciklet studimore), sivjet siç ju thashë për momentin (me prerjen e sotme-mbase e pabesueshme!) jemi në 1.000 plus rreth 75 studentë me aplikacione online. Mendoj se do ta tejkalojmë numrin prej 1.100, sepse akoma procesin e ciklit të dytë dhe të tretë e kemi të hapur! Në këto rrethana, padyshim ky është sukses i madh, që është meritë e çdo të punësuari në UEJL, si dhe i gjithë palëve tjera të interesuara (stakeholder-ët e UEJL-it), përfshi këtu si institucionet vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Ju jemi mirënjohës të gjithëve, pa përjashtim.