BFI njofton:Nga nesër lejohet falja e teravive në xhami

Advertisment
HTML Image as link

Të nderuar besimtarë!
Me kënaqësi informojmë se pas vendimit të sjellë nga Qeveria e RMV për shkurtimin e orës policore dhe fillimin e saj nga ora 23:00 prej datës 05.05.2021, që erdhi pas përmirsimit të gjendjes me pandeminë COVID-19, por edhe pas shqyrtimit të kërkesës së Bashkësisë Fetare Islame, mundësohet falja e namazit të teravive me xhemat në xhamitë e tërë vendit, që nesër, të mërkurën 05.05.2021.

Me këtë rast, duam të shprehim mirënjohjen tonë për qeverinë dhe institucionet përkatëse që e pranuan kërkesën e bërë nga Reisul Ulema i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, që besimtarëve muslimanë të vendit tonë t’ju mundësohet falja e namazit të teravive në netët e mbetura të Ramazanit dhe të organizohet falja e namazit të Fitër Bajramit pa restrikcione të lëvizjes, gjithmonë duke respektuar masat për të ruajtur veten dhe shoqërinë nga virusi.

Reklame

Të gjithë muslimanët e vendit tonë do kenë mundësi që të falin namazin e teravive me xhemat në netët e mbetura të Ramazanit dhe kështu edhe më fuqishëm të përjetojnë përshpirtmërinë e Ramazanit.

Vlen të theksohet se ky vendim ka ardhur edhe si rezultat i disiplinës së treguar nga të gjithë namazfalësit që frekuentojnë xhamitë, gjë që ka dhënë tregues të fortë për përkushtimin që besimtarët tanë kanë treguar në mbrojtjen nga virusi korona.

Apelojmë deri te të gjithë besimtarët që të vazhdojnë me këtë kujdes maksimal, duke respektuar rregullat e mbajtjes së maskave, distancës dhe dezinfektimit nëpër xhami, me qëllim ruajtjen e jetës sonë dhe të atyre që na rrethojnë, parim ky që është parim bazë dhe esencial i Islamit.

Zoti na pranoftë të gjitha adhurimet tona në këto ditë të fundit të bekuara të Ramazanit e na mundësoftë të gjejmë natën e madhe të Kadrit!
Falënderojmë Zotin që këtë Ramazan xhamitë gjatë tërë Ramazanit kanë qenë të hapura për besimtarët dhe, pas këtij vendimi, mundësohet kryerja e të gjitha adhurimeve të këtij muaji të shenjtë.

All-llahu ju ruajttë!
Shërbimi Informativ pranë BFI të RMV