BFI: Selefistët të mbyllin bashkësinë paralele, të mos shkaktojnë përçarje

Formimi i Bashkësisë Islame Selefiste “Dar El Hadis” sipas kreut të BFI-së, Shaqir Fetahi është tentim për përçarje në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut.

Fetahi tha se Institucioni që ai drejton ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për shfuqizimin e vendimit të gjykatëses Donçevska dhe janë duke pritur epilog gjyqësor, ndërsa u bën apel drejtuesve të bashkësisë selefiste vetë të mbyllin të njëjtën.

Kemi bërë procedurat ligjore dhe gjyqësore, tani presim rezultate pozitive. Por BFI-ja vazhdon të jetë një Organizatë të themi e madhe, e fuqishme, me të gjitha elementet dhe se qëllimi jonë kryesorë është që shoqërinë tonë e në veçanti BFI-në, popullin myslimanë të mos lejojmë që të zhytet apo ti hidhet ndonjë pikë e zezë nga rryma të dyshimta. Këtu jemi kategorik! – deklaroi Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.

Fetahu nuk beson se regjistrimi i kësaj Bashkësie Fetare ka prapavijë politike, por vendimin e Gjykatës për t’i dhënë leje e cilëson si tendencioz, pasi sipas tij gjykatësja e njëjtë edhe më parë ka shprehur tendenca të ngjashme kundër BFI-së. Nga Gjykata e Apelit ende nuk ka vendim për këtë rast.

Bashkësia Selefiste me vendim të Gjykatës Civile të Shkupit është legjitimuar që nga 22 dhjetori 2020.

GJYKATA CIVILE

“Bashkësia Islame Selefiste ‘Dar El Hadis’, merr të drejtën e personit juridik me ditën e regjistrimit në Regjistrin e vetëm gjyqësor për Kisha, bashkësi fetare dhe grupe religjioze për ‘bashkësi fetare’, që udhëhiqet pranë Gjykatës Civile dhe mund të fillojë me punë nga 22.12.2020.”

Në vendimin e Gjykatës themelues figuron personi me emrin Shejhi Xhemal Jakupi, banues në Shkup. Nuk dihet motivi i themelimit të institucionit fetar paralel, por adresa që rezulton në dokument ka të bëjë me një objekt banimi në rrugën Xhon Kenedi në fushë Topanë të Çairit.