Biden po rikthen politikën e Trumpit për emigracionin

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden do të ndjekë edhe një herë një politikë të diskutueshme të ish-presidentit, Donald Trump, i cili kërkon që azilkërkuesit të presin në Meksikë për t’u marrë në pyetje nga autoritetet amerikane të imigracionit, në përputhje me një urdhër të gjykatës federale, thanë sot zyrtarët amerikanë dhe meksikanë.

Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin hapa për të zbutur shqetësimet e Meksikës në lidhje me pasojat humanitare të politikës, thanë zyrtarët, duke përfshirë vaksinat për migrantët, raporton theguardian.

Emigrantët gjithashtu do të pyeten nëse i frikësohen persekutimit ose torturës në Meksikë përpara se të përfshihen në program dhe do të kenë qasje në ndihmë ligjore, thanë zyrtarët amerikanë.

Biden shfuqizoi programin e Protokolleve për Mbrojtjen e Emigrantëve (MPP) menjëherë pas inaugurimit në muajin janar. Por një gjykatës federal vendosi se ai nuk ndoqi procedurën e kërkuar dhe urdhëroi që politika të kthehej në fuqi në muajin gusht, transmeton Telegrafi.

Për këtë, qeveria kishte nevojë për pëlqimin e Meksikës. Një zyrtar meksikan tha se qeveria amerikane i kishte pranuar të gjitha kushtet e tyre. Në të njëjtën kohë, administrata Biden është ende duke punuar për të shfuqizuar këtë politikë.

MPP ishte themeli i politikës së rreptë të imigracionit të ish-administratës së presidentit, Donald Trump. Dhjetëra mijëra njerëz janë kthyer në Meksikë për të pritur me muaj, ndonjëherë edhe vite, për t’u marrë në pyetje nga autoritetet amerikane të imigracionit në sallat e gjyqit të improvizuar pranë kufirit.

Politika do të rifillojë në një vendkalim kufitar të SHBA-së të hënën në një grup më të vogël emigrantësh dhe më pas do të zgjerohet në San Diego, Kaliforni dhe El Paso, Laredo dhe Brownsville, Teksas.

Biden premtoi se qasja ndaj emigracionit do të ishte më humane. Por administrata ka vazhduar të zbatojë vendimin e Trumpit për shëndetin publik të quajtur “Titulli 42”, i cili u lejon autoriteteve kufitare të dëbojnë shpejt emigrantët pa u dhënë atyre një shans për të kërkuar azil.

Gati dy të tretat e 1.7 milion emigrantëve të kapur në kufi këtë vit fiskal janë dëbuar sipas dispozitës. /Telegrafi/