Bill dhe Hillary Clinton vijnë në Prishtinë për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës

27

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, të martën dhe mërkurën pritet të qëndrojë në Prishtinë, për shënimin e 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë. Bashkë me të është paraprë të jetë edhe gruaja e tij Hillary – por një tragjedi në familjen e saj e ka bërë të paqartë vizitën e saj në Kosovë, ndonëse ardhja vazhdon të jetë e konfirmuar. Reporteri.net sjell detaje.

Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se Bill dhe Hillary Clinton parashihet të mbërrijnë në Prishtinë të martën në mbrëmje.

Ish presidenti që ishte në krye të ShBA-së para dy dekadash kur Amerika sponsorizoi fushatën e NATO-s për çlirimin e Kosovës, të nesërmen – të mërkurën, do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të kësaj dite historike për kosovarët.

Të konfirmuar ardhjen në Prishtinë e ka edhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton. Por vdekja e të vëllait të saj, një ditë më parë, e ka bërë të paqartë ardhjen e saj në Kosovë pas dy ditësh.

Megjithatë, Reporteri.net merr vesh se ardhja e saj, sikurse edhe e ish-presidentit vazhdon të jetë e konfirmuar zyrtarisht në agjendën e ceremonisë shtetërore që mbahet më 12 qershor.