Bisedimet me ‘mësit’ për Qeverinë, kush me kë po koketon

Advertisment

Nga Mentor MELLOVA/INA

Që nga nata e shpalljes së rezultateve të para preliminare të zgjedhjeve të 15 korrikut, kanë filluar shigjetimet dhe kalkulimet e para për formimin e koalicionit qeverisës.

Reklame

Nga të gjitha partitë nuk po fshehin faktin se po bisedojnë mes veti, për të arritur numrat e nevojshëm prej 61 e më tepër për formimin e koalicionit.

“Po ka bisedime, por në masë të madhe po zhvillohen në nivel të mësitëve (shkuesve), të cilët po përcjellin porositë, qëndrimet dhe kalkulimet e ndryshme”, thotë për INA një zyrtar i një partie, e cila është kalkuluese për të bashkëqeverisur.

Por zyrtarisht ende nuk ka asgjë konkrete. LSDM, e cila fitoi me një diferencë të ngushtë në këto zgjedhje theksoi se bisedimet do të fillojë javën e ardhshme, pas festës së Ilindenit.

Nga kjo parti theksuan se janë në komunikim me subjektet parlamentare dhe se bazohen në thirrjen e Zaevit, që koalicionit ti bashkëngjiten të gjitha partitë dhe deputetët progresist që synojnë përparim dhe zhvillim.

Nga VMRO-DPMNE nga dita e parë nuk kanë fshehur se po bisedojnë rreth sigurimit të shumicës për qeverisje dhe se sipas tyre, ata janë fitues në kampin politik maqedonas, pasi që kanë fituar edhe shumicën e votave.

“Qëndrimin tonë lidhur me këtë çështje e kemi thënë shumë herë publikisht. Në Kuvend për momentin ka disa parti politike që vijnë nga blloku shqiptarë, dhe siç thashë, zhvillohen bisedime joformale dhe në momentin kur do ketë diçka më shumë për ta njoftuar opinionin, ne do e bëjmë atë”- deklaroi për Alsat-M, sekretari gjeneral i kësaj partie, Igor Janushev.

Nga BDI theksojnë se ende synojnë kryeministrin shqiptar, por zyrtarë të kësaj partie në deklarimet e fundit kanë nënvizuar prioritete tjera si janë marrëveshja e Prespës, Marrëveshja me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Ohrit.

Për koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativën të gjitha opsionet janë të hapura, përveç Qeverisë ku BDI do ishte partneri i tyre i koalicionit.

Në PDSH nuk kanë ndonjë qëndrim rreth koalicionimeve dhe se pritet që kreu i kësaj partie të marr ftesën nga Zaev për të mbështetur koalicionin e mundshëm qeverisës.

Për formimin e Qeverisë do të duhen 61 deputetë. LSDM me fitoren e saj ka 46 deputetë, ndërsa për të formuar Qeverinë i duhen edhe 15 deputetë, aq sa ka BDI. Megjithatë nga LSDM po kalkulojnë edhe për një koalicion tjetër, duke përfshirë ASH- AAA si dhe deputetë të kampit nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së.

Burime të afërta me LSDM thonë se Zaev nuk ka gjasa që të mos e formojë Qeverinë, pasi që ai është një kalkulues i madh dhe pritet që në cdo rast të sigurojë numrat, duke mbajtur hapur cdo kombinatorikë. (INA)