Bllokadë 3-orëshe në hyrje të Shkupit/ LSM insiston në rritjen e pagave

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot në mëngjes bllokoi udhëkryqin në Autokomandë.

Sindikalistët vendosën shatorë në mes të rrugës dhe lëshuan muzikë, kështu duke bllokuar hyrjen kryesore në Shkup.

“Sot i bllokuam ata deputetë dhe ministra të cilët nuk i mbështesin kërkesat tona, sepse e dimë që të gjithë nuk janë nga Shkupi. Mesazh është i qartë se do t’i bllokojmë deri sa nuk e votojnë të gjithë ata që ne po e kërkojmë”- deklaroi Darko Dimovski, Kryetar i LSM-së.

Ata insistojnë dhe nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për rritje lineare të pagave për 2806 denarë.

“Menjëherë kërkojmë rritje prej 2806 denarëve, menjëherë të kthehet e drejta e humbur për K15 ose kthim të regresit. Apeloj që ta na marrin me seriozitet. Ne do të jemi çdo ditë në rrugë, derisa nuk përmbushen kërkesat tona të cilat janë të nevojshme për momentin. Nuk mund të na servoni rritje të re të çmimit të rrymës, ndërsa të na thoni se duhet të kemi metodologji të re për pagat”- tha Darko Dimovski, Kryetar i LSM-së.

Ashtu edhe siç paralajmëruan, gjatë bllokadës prej 3 orëve lejuan të kalojnë vetëm automjete të zjarrfikëseve, policisë, armatës dhe ndihmës së shpejtë.

Sindikalistët kërkojnë që rritja e pagave të fillojë menjëherë që nga muaji korrik, ndërsa protestën nesër do ta vazhdojnë para Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Javën e kaluar LSM protestoi para Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Financave. Ndërkohë edhe më tej mbetët në fuqi vendimi për grevë të përgjithshme, të punësuarit në sektorin publik të jenë në vendet e tyre të punës, por nuk do të kryejnë punën, përveç 10 për qind të punonjëseve që do të jenë në dispozicion për nevojat e qytetarëve.