Bllokohen 24 shqiptarë në Hungari, njëri dyshohet si i infektuar me koronavirus

Për shkak të bllokimit të kufijve midis Hungarisë dhe Serbisë, 24 shqiptarë kanë ngecur në Hungari.

Grupi është kthyer në Budapest dhe sipas burimeve të Abc News nga Ministria e Jashtme, ambasada shqiptare në Hungari është nën kontakt me ta.

Për shkak të temperaturës së lartë, njëri prej turistëve është ndarë nga grupi që udhëtonin me autobus dhe është transportuar me ambulancë.

Grupi i shqiptarëve i cili u kthye në kufirin serb po kthehej nga një udhëtim turistik me autobus në Budapest.

Nesër në orën të 6 të mëngjesit, po organizohet kthimi me avion nga Ambasada shqiptare. Akoma nuk janë siguruar bileta për të gjithë personat dhe po bashkëpunohet me kompanitë e fluturimit për të gjetur vende të lira.

Sakaq nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk jepet informacion zyrtar, nëse ka raste të tjera të ngjashme në vendet e Europës ku është bërë edhe bllokimi i kufirit.