Bogovinë: Rezultuan pozitiv, pas një javë i lajmëruan në “viber” për t’ju thënë se janë negativ!

Advertisment

Dy personave nga Komuna e Bogovinës të cilët kishin punuar me mjekun e infektuar me virusin korona, sot ju është lajmëruar se testi i tyre ka rezultuar negativ. Megjithatë, 7 ditë më herët atyre ju është komunikuar se janë pozitiv dhe se duhej të izoloheshin. Kryetari i Bogovinës për Portalb.mk tha se me këtë numri i të infektuarve në Bogovinë është ulur në 8. Megjithatë, për të kjo situatë është e paqartë.

Një javë më herët, pasi mjeku i një ordinance private në Komunën e Bogovinës rezultoi pozitiv me virusin korona, u izoluan 156 persona. Ndërsa për atë se sa persona kanë rezultuar pozitiv si pasojë e kësaj, Xhemaili në disa intervista theksoi se gjithsej janë 10 të infektuar, kështu i kishin komunikuar atij institucionet kompetente.

Reklame

Portalb.mk nga burime jozyrtare mëson se dy punonjës të kësaj ordinance, një javë pasi ju është thënë se janë pozitiv, i kanë lajmëruar sot përmes një mesazhi në “Viber” për të ju dhënë lajmin se janë negativ, kjo i ka shqetësuar shumë ata.

“Ky rast filloi pasi u konfirmua rezultati pozitiv i mjekut amë të ordinancës ku punonte e shoqja ime, menjëherë pas kësaj na izoluan në shtëpi dhe policia na kontrollonte nga dy tre here në ditë, pastaj na erdhën informacione se bashkëshortja ime është pozitive ndaj këtij virusi, por asnjë dokument, kjo na shqetësoi shumë. Kurse sot, përmes një mesazhi në “viber” na lajmëruan se bashkëshortja ime dhe kolegia e saj kanë rezultuar negativ, na dërguan edhe dokument, dyshoj se të njëjtat tash do ti vendosin në listën e të shëruarve, edhe pse asnjëherë nuk kanë qenë të infektuara” tha bashkëshorti i një nga punonjësve të ordinancës private.

Kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili na konfirmoi se bëhet fjalë për dy persona të cilët paraprakisht ishin në listën e të infektuarve, që i bije se numri real dhe zyrtar i të infektuarve deri në këto momente nga 10 është ulur në 8.

“Kjo është shumë e çuditshme. Fillimisht këto dy persona, punonjës të ordinancës private të mjekut i cili rezultoi pozitiv, ju kanë thënë se janë pozitiv dhe i kanë izoluar në shtëpi, pas një jave i lajmërojnë se janë negativ, duke mos e testuar për së dyti. Me këtë, numri real i të infektuarve në Bogovinë nuk është 10 por 8” theksoi Xhemaili për Portalb.mk.

Ndryshe, 40 persona të cilët kanë qenë pacient të mjekut i cili rezultoi pozitiv ndaj virusit korona e kanë kaluar fazën e karantinës që është 14 ditë dhe të njëjtit pritet që të testohen në qoftë se janë apo jo të infektuar me virusin korona.