Bollni më me frikën nga shqiptarët!

Nga Nazim RASHIDI

Regjistrimi i popullsisë sërish në fokus. Por në fakt në fokus janë frikërat. Frikërat nga numrat dhe përqindjet, të cilat me vite po ngarkojnë këtë shoqëri e cila nuk u mësua që të çlirohet prej tyre. Për momentin, diskutimi është nëse regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill ose pas disa muajsh për shkak të pandemisë. Por diskutimi real është sa i besueshëm do jetë regjistrimi i popullsisë. Opozita maqedonase, VMRO DPMNE kërkon shtyrjen e regjistrimit për vitin 2022 dhe insiston në përfshirjen e teknologjisë në zbatimin e operacionit më të madh statistikor. Opozita shqiptare ka ngritur çështjen e shtetësisë ku me vite shumë individë, kryesisht shqiptarë, nuk marrin dot shtetësinë e Maqedonisë së Veriut. BDI ndërkohë, nëpërmjet zyrtarëve të saj, jep garanci se shqiptarët nuk do dalin më pak se 20 për qind. Pra, të gjithë të fiksuar pas numrave dhe përqindjeve dhe e gjitha në funksion të politikës ditore dhe për nxirjen e rivalit me çdo kusht.

Reklame
HTML Image as link Reklamë:
Qries

REGJISTRIMI DHE MAQEDONASIT

Aq pa sens dhe e lodhshme kjo qasje që me çdo kusht të poshtërohet rivali, sa të duket se politikës i ka mbetur vetëm kjo “armë” për tu përballur me kundërshtarin. Dhe vini re, po bëhet standard i përgjithshëm. Por këtu është çështja, pse nuk diskutohen gjërat me ftohtësi dhe me brumë, por vetëm për të bërë zhurmë. Ah po, ka edhe një konstantë tjetër në këtë përplasje ndërmaqedonase: Shqiptarët. Si të tremben me çdo kusht maqedonasit nga shqiptarët.

Ja, për shembull, qarkullon me të madhe ideja se regjistrimi i popullsisë është rregulluar më nga partnerët qeverisës dhe se shqiptarët do të dalin 32 për qind. Pse duhet të trumbetohet me çdo kusht ky qëndrim? Bollni më me frikën nga shqiptarët! Por ky narrativ si duket do të zgjasë edhe shumë, sepse në garën e fundit zgjedhore elektorati shqiptar ishte i pa parashikuar dhe votoi edhe LSDM-në. Si grup votues tani opozita maqedonase do ta identifikojë me çdo kusht veten si mbrojtëse të “maqedonizmit” dhe duke e mbajtur këtë ekskluzivitet dëshiron ikjen sa më të madhe të votuesve maqedonas.

Por ku është vizioni këtu? Kjo është ironia, që asgjë duket se nuk është mësuar nga historia jo edhe aq e largët. Nëse çdo procesi në vendin tonë të vogël, i ngjishet etnia dhe çështjet etnike, ai pa diskutim që ka gjasë të shpërthejë në tensione. E pastaj kalorësit e tensioneve duan të përfitojnë për të marrë pushtetin. Po mirë, kjo duhet të jetë politika? E lodhshme. Dhe e lodhshme është për të gjithë, shqiptarë,maqedonas e të tjerë. Se njerëzit veç ikin, ikin se nuk e durojnë këtë tension idiot që krijohet me çdo kusht e mbi të cilin përfiton veç një shtresë e shoqërisë. E cila pastaj s’do ketë as kë të numërojë nëse vazhdon me këto prirje ikja. Nga ana tjetër, qasja e pushtetit që me arrogancë të mposhtë dyshimet nuk kontribuoi aspak në çlodhjen e shoqërisë, por përkundrazi krijohet kakofonia që sjell atmosferën e përgjithshme të ngarkesave të mëdha.

Pushteti as mbrohet e as merret më me tensione. Të dy palët e skenës politike maqedonase duhet të bien rehat më, e të pranojnë realitetin se shqiptarët kanë qenë e do jenë këtu. Përqindjet e tyre edhe mund të variojnë, por do jenë prezent me gjithë zhurmën, llojllojshmërinë, injorancën, aftësinë, bukurinë, mençurinë, kreativitetin, pasurinë e varfërinë, si të gjithë të tjerët. 32, 20, ose edhe 15 për qind duhet të shohin veten në sy e të thonë, këto shqiptarët nuk i heqim dot. Do jenë prezent edhe në shoqëri, edhe politikë, edhe biznes edhe kulturë, edhe kudo. Do jenë prezent më shumë e më fort se më parë. Përballuni me këtë realitet. Dhe pa frikë. Me sinqeritet ndaj vetes. Me gjithë të mirat e të këqijat që kanë!

REGJISTRIMI DHE SHQIPTARËT

Po të njëjtën qasje duhet të kenë edhe shqiptarët vetë ama. Por e para që politika duhet të bëjë është mos të lejojë që përqindja shqiptare të jetë topi i politikës maqedonase. Por kjo nuk bëhet me përplasjet me çdo kusht. As me garanci për mbi 20 për qind, e as me kërcënime të ndërsjella. Kjo bëhet thjesht me shprehjen e qëndrimeve me dinjitet. E në këtë kontekst mjafton veç një pyetje: Çfarë do bëhet nëse shqiptarët dalin 19 për qind?

Në fakt përgjigjja e kësaj pyetjeje është çelësi i gjithçkaje. Por kjo pyetje s’duhet bërë shkel e shko. Kjo pyetje duhet bërë pastër dhe njëlloj pa frikë. Ne kemi dëgjuar deklarata se “të drejtat e marra nuk mund të kthehen”, apo edhe të tjera se “proceset nuk kthehen prapa”, por nëse realisht duam dinjitet ndaj këtij procesi, pyetjet dhe përgjigjet duhet veç të jenë të ndershme. Prandaj maqedonasve u duhet thënë hapur: Si ta heqim pengun që ka lënë formulimi ligjor e kushtetues “mbi 20 për qind”? Ose duke e bërë edhe më politike pyetjen: A futemi në një proces politik të sinqertë, ku çështja e barazisë mos të preket dhe kjo të sqarohet me ligj përtej numrave? Unë madje do të kisha shtuar se ky është narracioni që duhet imponuar. Se kur do heqim numrat i njëjti parim do vlejë edhe për shqiptarët, se edhe ata do të duhet të përballen me realitetin se në këtë vend e shtet do të duhet të pranojnë llojllojshmërinë, injorancën, aftësinë, bukurinë, mençurinë, kreativitetin, pasurinë e varfërinë… jetën me maqedonasin. Por pa ngarkesën e numrave dhe pa ngarkesën e pabarazisë.

Është aq e qartë se kush krijon tensionin. Frika nga numrat. Dhe numrat duhet të jenë pjesë e shkencës ekzakte, por jo. Interpretimi i tyre e sjell gjithë këtë përplasje. Por gjërat duhet thënë troç: Shqiptarët sado që të dalin, do të kenë të garantuar gjuhën, prezencën dhe përfshirjen në këtë shtet. Shqiptarët s’janë kërcënimi, sa do të dalin me shifra, këtë duhet ta kuptojnë maqedonasit. Kaq duhet. Veç zhveshja nga ky tension dhe frika nga përqindjet dhe ky proces nuk do të problematizohet. Por frika ime s’është as te numrat, as te përqindjet, por te politika, e gjithë klasa, që tensionin e ka ushqim, e jo zgjidhjen e problemeve.