Britania autorizon vaksinën OXFORD/ASTRAZENECA kundër COVID-19

Rregullatori i ilaçeve në Britani ka miratuar vaksinën Oxford/AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke filluar nga sot, njoftoi Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social, Shërbimi Kombëtar i Shëndetit “në dozën e parë të vaksinës do t’u japë përparësi grupeve më të rrezikuara”.

“Tani me dy vaksina të miratuara do të jemi në gjendje të vaksinojmë një numër të madh të njerëzve që janë në rrezik më të lartë, duke i mbrojtur ata nga sëmundja dhe duke reduktuar vdekshmërinë dhe shtrimet në spital”, tha departamenti britanik.

Mbretëria e Bashkuar miratoi vaksinën Pfizer/BioNTech në fillim të dhjetorit dhe sipas shifrave zyrtare deri më tani mbi 600 mijë persona janë vaksinuar.

Vaksina AZD1222 apo ChAdOx1 nCoV-19 u prodhua në Universitetin e Oksfordit, së bashku me kompaninë farmaceutike britanike-suedeze AstraZeneca. Provat klinike treguan se vaksina siguron 90 për qind mbrojtje kundër pandemisë COVID-19.

Mbretëria e Bashkuar paraprakisht ka porositur 100 milionë doza të vaksinës, të cilat mund të ruhen në temperatura normale të frigoriferit dhe do të prodhohen nga AstraZeneca.

Sipas njoftimit, Komiteti i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim (JCVI) “ka këshilluar se përparësi duhet të kenë grupet më të rrezikuara”.

“Të gjithë do të marrin dozën e dytë dhe kjo do të ndodhë brenda 12 javëve nga e para. Doza e dytë kompleton kursin dhe është e rëndësishme për mbrojtje më afatgjate”, tha Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social.

Sekretari i shëndetësisë, Matt Hancock, tha se vaksina e Oxfort/AstraZeneca do të fillojë të përdoret nga java e ardhshme, respektivisht nga 4 janari.

“Ky është një lajm shumë i mirë për përshpejtimin e përdorimit të vaksinave. Ajo çon në ditën kur mund të kthejmë jetën tonë në normalitet. Vaksina është rruga jonë për të dalë nga pandemia”, tha Hancock në një intervistë për SkyNews.

Duke përshëndetur “lajmin me të vërtetë fantastik”, kryeministri Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar “do të angazhohet që sa më parë të vaksinojë sa më shumë njerëz”.

Së fundmi, Mbretëria e Bashkuar raportoi 53.135 raste të reja me COVID-19, një rritje më e lartë e infeksioneve ditore që nga shpërthimi i pandemisë. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus në vend ka tejkaluar shifrën 2.38 milionë.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve po ashtu ka shkuar në 71.567, përfshirë 414 viktima të raportuara brenda 24 orëve të fundit.

Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur nga pandemia në Evropë.