Bujar Osmani: Jemi fitues të sigurt, koalicionet temë e bisedimeve pas zgjedhjeve

Advertisment

Zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani pret partia e tij të jetë fituese e sigurt në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në bllokun shqiptar dhe ta realizojë një nga fitoret më të mëdha në ekzistimin e saj politik pasi është “drejtues i rrugës euroatlantike në shtet” dhe nuk e përjashton mundësinë për të bërë koalicione paszgjedhore.
“Tani jemi të fokusuar të komunikojmë me qytetarët dhe ta marrim mbështetjen e tyre. Çështja e koalicioneve po bëhet temë e bisedimeve pas zgjedhjeve, pasi qytetarët do të vendosin se kush ka të drejtë të formojë koalicion”, tha Osmani në pres konferencën e sotme për shtyp në përgjigjen e pyetjes.
Sipas tij, dihet në shtet, por edhe tek bashkësia ndërkombëtare se Bashkimi Demokratik për Integrim është mbrojtës (gardiane) i tre marrëveshjeve – të Ohrit, Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë për fqinjësi të mirë.
“Duke e pasur parasysh rolin e mbrojtësit të tre marrëveshjeve të tilla do të jenë edhe vendimet e mëtejme të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me atë se si do të funksionojë shteti. Qytetarët e kanë të qartë se Bashkimi Demokratik për Integrim është parti e cila ka rezultate, ka vizion dhe konsistencë. Mund të vonojë, por gjithmonë ka rezultate. Vlerësoj se qytetarët presin prej partive politike të mos bëjnë gjithë ditën kalkulime partiake se si të qëndrojnë në skenën politike përmes koalicioneve joparimore dhe bashkimeve por të punojnë në interes të tyre. Në Bashkimin Demokratik për Integrim veçanërisht shqiptarët e shohin interesin e tyre edhe për shkak të historisë edhe për shkak të listës së çështjeve të cilat i ka gjatë gjithë mandatit. Prandaj jemi absolutisht të bindur se kjo do të jetë një prej fitoreve më të mëdha të Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Osmani.
Për akuzën se Bashkimi Demokratik për Integrim i ka shantazhuar partitë e bllokut maqedonas, Osmani tha se atë e kanë bërë nëse shantazh është nevoja e sjelljes së zgjidhjes për zgjidhjen e kontestit për emrin dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s dhe nëse shantazh është nevoja për nënshkrimin e Marrëveshjes me Bullgarinë ose nevoja e sjelljes së Ligjit për gjuhët për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike me qëllim të krijimit të shtetit inkluziv.
“Atëherë Bashkimi Demokratik për Integrim ka shantazhuar, por asnjëherë për partinë, gjithmonë për interesin e qytetarëve dhe gjithmonë për interesin e shtetit të shkojë përpara. Jemi krenarë se me këto çështje kemi kushtëzuar qeveri, por pikërisht këto çështje sot na çuan në situatë të mund të themi se de fakto tashmë jemi anëtare e NATO-s dhe se rruga drejt BE-së është shtruar”, theksoi Osmani.
Lidhur me shkeljen e disa tabelave dygjuhësore të institucioneve të shkruara edhe në gjuhën shqipe, ai tha se kjo me siguri është bërë për shkak të mosnjohjes së Ligjit për gjuhët.
“Ligji është i qartë. Njësitë rajonale të ministrive apo institucioneve të cilat i mbulojnë të paktën një komunë në të cilën ka mbi 20 për qind shqiptarë janë institucione dygjuhësore. Kjo do të thotë se njësitë rajonale në Prilep të cilat e mbulojnë komunën Dollnen gjithashtu janë dygjuhësore pasi sipas Ligjit e mbulojnë të paktën një komunë me 20 për qind shqiptarë, si dhe në Veles të cilat e mbulojnë komunën e Çashkës, ndërsa Fondi i atjeshëm për shëndetësi madje e mbulon edhe Likovën. Bëj thirrje për qetësi ekziston Agjencia për implementimin e gjuhëve dhe Inspektorati dhe duhet t’u lejojmë institucioneve ta implementojnë ligjin”, potencoi Osmani.