Buxhovi: Gjuhës shqipe në Maqedoni i duhet barazi kushtetuese dhe jo ligjore

Advertisment

Historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi ka komentuar zhvillimet lidhur me zvarritjen e procesit të zbatimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Ai i pyetur nga INA se si mundet që pakica simbolike serbe në Kosovë ka të zyrtarizuar gjuhën e tyre për dallim nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që janë në numër të konsiderueshëm.

Reklame

“Nuk mund të bëhet krahasimi midis pozitës së gjuhës shqipe në Maqedoni dhe serbishtes në Kosovë, ngaqë ndryshon pozicionimi i tyre kushetues.

Në Maqedoni, gjuha shqipe trajtohet si gjuhë e pakicës dhe barazia e saj rregullohet me ligj në përputhje me përqindjen e popullatës, brenda një limitin 20 %! Ndërsa në Kosovë, në preambullën e kushtetutës, gjuha serbe përcaktohet si gjuhë zyrtare, krahas shqipes dhe anglishtes, gjë që asaj i garantohet përdorimi i barabart zyrtar në nivel të shtetit në të gjitha segmentet”, thotë për INA, publicisti Buxhovi.

Sipas tij, gjuha shqipe në Maqedoni duhet të ketë zgjidhje kushtetuese.

“Në Maqedoni, duhet të ketë barazi kushtetuese të shqipes dhe jo barazi ligjore, siç po veprohet dhe po manipulohet me këtë standard,që bie në kategorinë e lirive dhe të drejtave njerëzore si standard universal që aplikohet kudo edhe pa u përmendur. Andaj, në Maqedoni, barazia e gjuhës shqipe mund të arrihet vetëm me zyrtarizimin e saj kushtetues, që si parakusht duhet ta ketë ndryshimin e statusit të shqiptarëve në popull shtetformues, i barabart me maqedonasit”, theksoi Buxhovi.(INA)