Buxhovi: “Ilindeni” mbrojti interesat bullgare dhe assesi shqiptare!

Përkujtesë historike: Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903

Jusuf BUXHOVI

Kryengritja e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja, si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje , që duhej të gjente zgjidhje në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, ku shqiptarët e besimit orotodoks dhe vllehet shfaqeshin si shumicë.

Në këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth detyrimisht: në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që erdhi nga Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve myslimanë për ta shuar kryengritjen.