Bytyqi muzikantëve: Do të ishte më lehtë për t’iu ndihmuar nëse ishit pjesë e sistemit

Konsideroj se disa kërkesave në këtë moment është e pamundur t’iu përgjigjemi, por gjithsesi krijojmë mekanizma që përmes zgjidhjes sistemore të ndihmohet në këtë moment ose në periudhën e ardhshme, tha sot zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi për ultimatumin të cilin e dërguan dje muzikantët.

Bytyqi porositi se kur kjo kategori e qytetarëve do të jenë pjesë e sistemit edhe nga ekonomia formale, shumë më lehtë do të krijohen masa për ndihmë.
“Njihem për atë se i dëgjoj të gjitha palët. Pranoj çfarëdo lloj kërkese sepse vjen si nevojë. Por, e dëgjoj edhe palën tjetër, mundësitë shëndetësore.

Dhe si funksionar dhe si njeri për mua është me rëndësi shëndeti i qytetarëve. Konsideroj se disa kërkesave në këtë moment është e pamundur t’iu përgjigjemi, por gjithsesi krijojmë mekanizma që përmes zgjidhjes sistemore të ndihmohet në këtë moment ose në periudhën e ardhshme.

I pashë në protestë, ajo është e drejtë demokratike. Nëse vlerësojnë se duhet të protestojnë, në ndonjë rast madje edhe do t’iu bashkëngjitëm, do të bisedojmë, por para së gjithash të kujdesemi për shëndetin, tonë dhe të më të afërmve tanë, t’i respektojmë masat sepse do të kemi kohë dhe mundësi të mjaftueshme edhe për festa edhe për punë dhe për të kompensuar gjithë atë që është humbur”, theksoi Bytyqi.

 

Ai tha se para disa ditëve ka biseduar me fotografët, guidat turistike, artistët e estradës.

“Flas për muzikantët, për të gjitha kategoritë e njerëzve. Ka një varg palësh të cilët duhet të ndihmohen, të gjithëve deri më tani iu ndihmuam sipas rasteve. Gjithsesi, iu ofruam që të jenë pjesë e sistemit. Për fat të keq, flasim për kategori të njerëzve të cilët ishin jashtë sistemit.

Iu ofruam përmes masave aktive për punësim që të përfshihen në tregun e punës dhe të bisedojmë për zgjidhje ligjore se si më lehtë të hyjnë në sistem. Kur do të jenë pjesë e sistemit, pjesë e ekonomisë formale, shumë më lehtë do të krijojmë masa edhe për këtë kategori të njerëzve”, theksoi zëvendëskryeministri.

Mbi 1.200 muzikantë dhe anëtarë të gjashtë shoqatave muzikore dje i dërguan ultimatum Qeverisë që deri të premten, më 12 mars, t’iu përgjigjet kërkesave për protokolle lehtësuese për punë, dëmshpërblim me ndihmë prej 43.000 denarë, por edhe pranim në Ministrinë e Kulturës që t’i tregojnë problemet dhe të gjenden propozime për tejkalimin e tyre. Në të kundërtën, paralajmëruan, do të jenë të detyruar që të drejtat t’i kërkojnë në protestë.