Çelësi te Ahmeti, Sela etablohet si opozitar

Advertisment

Diferenca e vogël mes bllokut politik maqedonas do të prodhojë një Qeveri më funksionale, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 15 korrikut. Sipas tyre, as LSDM, as VMRO-DPMNE nuk mund të bëjë Qeveri pa BDI-në, ndërsa befasi të zgjedhjeve e shohin rritjen e votave në konton e BDI-së dhe ASH-së, si dhe rritjen e numrit të deputetëve shqiptar në përgjithësi

Destan JONUZI

Reklame

Shkup, 18 korrik – Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut ka qenë i pritshëm. Diferenca e vogël është një argument i fortë për demokracinë në vend. Këto rezultatet do të prodhojnë një qeveri shumë më funksionale, për arsye se shumica do të ketë përballë një opozitë të fuqishme, vlerësojnë për gazetën KOHA, njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke folur mbi rezultatet zgjedhore.

“Rezultati zgjedhor ne përgjithësi ka qenë i pritshëm, dhe diferenca e vogël është një argument mjaft i fortë për demokracinë dhe do të prodhojë një qeveri shumë më funksionale sepse do të ketë një opozitë të fortë. Ka shumë kombinatorika për formimin e qeverisë së re, por LSDM do të jetë ajo që do të formojë qeverinë e re dhe numrat na japin dy kombinime. E para LSDM mund të bëjë qeveri ne ASH-AA, e majta dhe PDSH, por një qeveri fiks me 61 deputet dhe fat ii qeverisë do të jetë në duart e vetëm të një deputeti ose të dy deputetëve të së majtës dhe sipas mendimit tim nuk do të jetë qeveri stabile pasi kërkesat e të vegjëlve do të jenë shumë të mëdha. Në rastin e dytë formimi i qeverisë LSDM-BDI me një shumicë shumë komode dhe pa pazare të mëdha të ndarjes së pushtetit do të jetë shumë më efikas dhe i pranueshëm nga të dyja palët”, vlerëson gazetari Berat Azizi.

Sipas tij, sinjalet e para të fituesve në këto zgjedhje ishin se qeveria e re do të jetë vazhdimësi i qeverisë aktuale pa Alternativën dhe PDSH. “Pra një qeveri e cila do të vazhdojë rrugën drejt integrimit të BE dhe reformave të nisura më herët. Po ashtu fituesit do të kenë mbështetjen ndërkombëtare si mundësi për hapjen e negociatave me BE, respektimin e Marrëveshjeve me fqinjët dhe përfundimin e procesit të reformave në drejtësi. Unë mendoj se befasia në këto zgjedhje ishte koalicioni ASH-AA e cila ka mundur të fitojë 12 deputet duke i qëndruar shumë afër BDI-së”, nënvizon Azizi. Ai vë ne dukje rritjen e numrit të deputetëve shqiptar, që sipas tij, do të hap debatin për ndryshimet që duhet të bëhen në sistemin zgjedhor. “Maqedonia e Veriut me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura do të ketë një përbërje shumë më interesante ku do të përfaqësoheshin të gjitha etnitë dhe numri i deputetëve shqiptar do të tejkalonte mbi 40. Demokracia vetëm kështu mund të forcohet dhe të kemi një sistem të mirëfilltë të vlerave demokratike”, shprehet Azizi.

Analisti politik Blerim Hyseni thotë se në zgjedhjet e 15 korrikut u vërtetua se bashkimi i votës shqiptare përbën faktorizim, dhe se pa BDI nuk mund asnjëra parti nga blloku maqedonas të formojë Qeveri. “Kësaj here u vërtetua se bashkimi i votës shqiptare përbën faktorizim dhe pavarësisht se disa këtë e kanë marrë shpesh edhe me tallje shndrimi i votës në numër deputetësh i bën ata faktorë vendimtarë në këto zgjedhje. Siç po duket nga rezultatet e para as LSDM e as VMRO nuk do mund të formojnë Qeveri pa BDI, e risi e saj ishte kryeministri shqiptar. Se a do te arrihet ky qëllim me këto rezultate nuk do ta them por ajo që është më rëndësi ka të bëjë me rritjen e numrit të deputetëve shqiptar dhe koordinimi i subjekteve politike shqiptare në këtë fazë duhet të jetë i patjetërsueshëm. Sigurisht në baze të rezultateve befasi mund të thuhet numri i votave që ka arrit të marrë Aleanca e z.Sela e cila lirisht mund te themi se tani më është etabluar si subjekt i dytë në kampin politik shqiptar”, deklaroi për KOHA, Hyseni.

Në anën tjetër, analisti Besim Nebiu vlerëson se befasia më e madhe e zgjedhjeve është numri i madh deputetëve te zgjedhur shqiptar. “As projeksionet më optimiste nuk e kanë parashikuar një numër të këtillë, bile as vetë krerët partiak dhe opinionistët, nuk kanë dhënë prognoza për 15 deputet për BDI-ne dhe 12 për ASH-në. Në kushte kur dalja te kampi maqedonas ka rënie të dukshme (deri në 20%), ai te kampi shqiptar ka rënë në masë më të vogël (afërsisht 10-15%) në krahasim me zgjedhjet e 2016. Kjo e ka rritë peshën specifike të votës shqiptare. Rreth 225.000 vota shqiptar sa kanë qenë në 2016 kanë dhënë gjithsej 22 deputet shqiptar, ndërsa në 2020, 32 deputet shqiptar. Kjo është rritje drastike. Befasia e dytë është rritja e BDI-së”, thekson Nebiu. Nebiu është i mendimit se nuk mund të përjashtohen as kalimet apo transferet post zgjedhore të deputetëve nga një në një tjetër koalicion.

Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut, në bllokun politik shqiptar, BDI e Ali Ahmetit ka marrë 15 deputet, koalicioni ASH-AAA 12, PDSH 1, ndërsa 4 deputet ka marrë edhe Lëvizja BESA si pjesë e koalicionit më LSDM-në. (koha.mk)