Çfarë kuptimi ka klipi i ri i Dafina Zeqirit që po komentohet nga të gjithë?

Advertisment

Dafina Zeqiri publikoi këngën e re ditën e djeshme dhe vëmendja u përqendrua tek klipi. “Merri Krejt” pritej me padurim nga fansat dhe komentet në YouTube tregojnë se pikëpyetja nuk qendron as tek teksti, as tek muzika, por tek realizimi i videoklipit.

Fabula është fare e thjeshtë: Dafina (si personazh) pas shumë mundimesh krijon një robot. Duke u përpjekur ta integrojë me gjithçka përreth, Duffye dhe roboti përfundojnë në një dyluftim, ku personazhi i këngëtares rezulton humbësi. Dilema më e madhe e komentuesve është roboti: a përfaqëson ai veten apo dikë tjetër?

Reklame

Duke qenë se një trajtim i tillë lë vend për shumë zbërthime – tregues ky që me klipin është bërë një punë tepër e kujdesshme dhe profesionale – në planin mbyllës dallon e shkruar një frazë: “Arritje nuk është të jetosh përjetësisht, por të krijosh diçka që do ta arrijë përjetësinë”. Si pjesë e botës së artit prej më shumë se një dekade, ‘meraku’ i Dafinës është i kuptueshëm.

Raporti krijues-krijim nuk ka qenë kurrë i lehtë, pavarësisht modernizimit të kohës. Ndonëse titulli “Merri Krejt” përfaqëson këngën, vargu që përsëritet më shpesh në tekst është “Dashuria nuk mjafton”. Një frazë e tillë duket se ka frymëzuar edhe realizuesit e klipit, pasi nga një lexim ndryshe i imazheve, rezulton se dashuria, impenjimi, investimi i krijuesit mbeten krejt të zbehta krahasuar me fuqinë dhe ‘pushtetin’ e krijimit.

Dafina ka zgjedhur dhe një herë regjisoren e “La Reina”, Dina Morinën dhe çfarë vlen për t’u duartrokitur është fakti se në titrat përmbyllës, dallon emri i regjisores, drejtorit të fotografisë dhe montazhierit: staf ky, që në shumicën e klipeve shqiptare zëvendësohen nga një njeri i vetëm. Jo më kot, ky është klipi i dytë pas “La Reina”, me të cilin Dafina bën diferencën. Dhe duke menduar se ky shkrim u inspirua nga komentuesit në YouTube, mund të thuash me plot gojën se koncepti i klipit ia ka arritur qëllimit! /News31.al