Çfarë ndodhi me shqiptarët e Ukrainës pas shpërthimit të luftës?

“Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, unë do të jem këtu”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Aleksandr Dermentli , një shqiptar nga fshati Karakurt i Ukrainës.

Fshati i tij ndodhet në jugperëndim të Odesës, rajon i cili, në javët e fundit, disa herë ka qenë shënjestër e sulmeve të ushtrisë ruse. Dermentli, 55-vjeçar, thotë se ka disa shqiptarë që luftojnë në krah të forcave ukrainase, por nuk jep më shumë detaje për ta.

Reklame

Ukraina ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt. Mijëra njerëz atje janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.

Dermentli, i cili udhëheq Shoqatën “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, thotë se në këtë vend jetojnë rreth 5,000 shqiptarë – të përqendruar kryesisht në rajonin e Odesës dhe të Zaporizhjas. Në Karakurt, ai thotë se situata është ende e qetë dhe se bombardimet dëgjohen vetëm natën.

Ai tregon se fshati është mbushur me shqiptarë të tjerë që janë zhvendosur nga zona e Kievit dhe e Odesës.

Ai thotë se disa grave dhe fëmijëve u ka ndihmuar të ikin jashtë kufijve. “Një familje nga qyteti Irpin ka ikur në Shqipëri dhe ka shumë familje [me prejardhje shqiptare] që kanë ikur në Gjermani; në Poloni ka shumë; në Zvicër ka pak”, tregon Dermentli për Radion Evropa e Lirë.

Të parët e shqiptarëve të Ukrainës sot besohet se kanë arritur atje rreth 200 vjet më parë, për t’iu ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në zonën e Ballkanit. Shumë prej tyre besohet se kanë ruajtur gjuhën dhe traditën.

Dermentli thotë se komuniteti shqiptar, para fillimit të luftës, po planifikonte hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe në fshatin Karakurt. Aktualisht, nxënësit atje, por edhe në zona të tjera me shqiptarë, mësojnë vetëm një orë në shqip gjatë javës.

Dermentli dëshiron që gjuha shqipe të mësohet sa më shumë, andaj thotë se i flet shqip djalit të tij dy vjeç./ për më tepër lexo storjen e Radio Evropa e Lirë