Çfarë po ndodh me vaksinën AstraZeneca dhe kush po e ndalon atë

Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve që të mos ndërpresin vaksinimet kundër Covid, pasi disa shtete të mëdha të BE ndaluan shpërndarjen e dozave të vaksinës së Oxford-AstraZeneca.

Çështja tashmë është serioze pasi vende të mëdha të BE si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja u bashkuan të hënën me vende më të vegjël duke ndaluar vaksinimet si një masë paraprake derisa të bëhen kontrollet e duhura nëse dozat e Astra Zeneca shkaktojë mpiksje gjaku.

Në Shqipëri ndërkohë autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shenjë hezitimi madje vazhdojnë të jenë të bindur se vaksina nuk ka asnjë problem.

BBC shkruan se ekspertët e sigurisë së vaksinave të OBSH-së do të takohen urgjentisht të martën për të diskutuar për këtë çështje. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) do të mblidhet gjithashtu të martën dhe pritet të nxjerrë një vendim të enjten. Gjithsesi edhe ajo ka deklaruar se vaksina duhet të vazhdojë të përdoret.

Çfarë ka ndodhur?

Ka pasur një numër rastesh në Evropë ku personave u është shkaktuar mpiksje e gjakut pas marrjes së vaksinës. Ekspertët thonë se këto numra nuk janë më shumë se numri i rasteve të mpiksjes së gjakut të raportuara zakonisht në popullatën e përgjithshme.

“Rreth 17 milion njerëz në BE dhe Britaninë e Madhe kanë marrë një dozë të vaksinës dhe numërohen më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuara që nga java e kaluar”, – deklaroi vetë AstraZeneca.

Në të tjera raportime thuhet se numri i rasteve është mbi 300 dhe se të paktën 4 persona kanë humbur jetën

Çfarë masash po merren?

Ministria e shëndetësisë e Gjermanisë njoftoi të hënën se do të ndalojë administrimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca në një vendim që hynte në fuqi menjëherë pas rekomandimit të Institutit Paul Ehrlich, autoriteti vendor për vaksinat.

“Sfondi i këtij vendimi ndjek raportet e reja të rasteve të trombozës së venës cerebrale të lidhur me një vaksinim AstraZeneca”. Në dritën e këtyre rasteve të raportuara rishtazi, Instituti Paul Ehrlich rivlerësoi sot situatën dhe rekomandoi një pezullim të vaksinimeve dhe analiza të mëtejshme” – tha Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn.

Ai tha se vendimi nuk ishte “politik”.

“Të gjithë ne jemi shumë të vetëdijshëm për pasojat e këtij vendimi dhe nuk e morëm lehtë këtë vendim,” – shtoi ai.

Pak më vonë, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca po pezullonte vaksinën derisa të jepeshin këshilla të reja nga EMA.

“Ne kemi një udhëzues të thjeshtë, për t’u informuar nga shkenca dhe autoritetet kompetente të shëndetit dhe për ta bërë atë si pjesë e një strategjie evropiane,” – tha ai.

Dhe agjencia italiane e ilaçeve e mori vendimin në pritje të vendimit të EMA. Ministrja Spanjolle e Shëndetësisë Carolina Darias tha se përdorimi i vaksinës Astra Zeneca do të pezullohet për të paktën dy javë.

Pezullimet erdhën një ditë pasi Holanda bëri të njëjtën gjë. Pezullimi i Holandës do të zgjasë të paktën më 29 mars. Irlanda, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria dhe Islanda gjithashtu kanë ndaluar përkohësisht injektimin e vaksinës, ndërsa Republika Demokratike e Kongos dhe Indonezia kanë shtyrë fillimin e shpërndarjes së tyre.

Disa vende evropiane, përfshirë Austrinë, kanë pezulluar përdorimin e grupeve të caktuara të vaksinës si një masë paraprake. Ndërsa Polonia, Republika Çeke dhe Ukraina thanë se do të vazhdonin të administronin vaksinën AstraZeneca. Tajlanda njoftoi se do të fillonte të përdorte vaksinën. Kryeministri Kanadez Justin Trudeau tha se ekspertët e shëndetit e kishin siguruar atë që të gjitha vaksinat që administroheshin në vend, përfshirë AstraZeneca, ishin të sigurta.

Çfarë thotë OBSH dhe ekspertët e tjerë?

Zëdhënësi i OBSH-së Christian Lindmeier tha se kjo organizatë po hetonte të gjitha raportet.

“Sapo OBSH të ketë marrë një kuptim të plotë të këtyre ngjarjeve, rezultatet dhe çdo ndryshim i rekomandimeve do t’i komunikohen menjëherë publikut. Që nga sot, nuk ka asnjë provë që incidentet janë shkaktuar nga vaksina dhe është e rëndësishme që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë në mënyrë që të mund të shpëtojmë jetë” – tha ai.

EMA, e cila aktualisht po kryen një rishikim të incidenteve të mpiksjes së gjakut tha se vaksina mund të vazhdojë të administrohet. Rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar tha gjithashtu se provat “nuk sugjerojnë” se vaksina shkakton mpiksje dhe u bëri thirrje njerëzve në vend të marrin vaksinën kur u kërkohet ta bëjnë këtë.

Profesori Andrew Pollard, drejtori i grupit të vaksinave të Oksfordit që zhvilloi dozat e Oxford-AstraZeneca, i tha programit Today të BBC se kishte “prova shumë të sigurta se nuk ka rritje të fenomenit të mpiksjes së gjakut në Mbretërinë e Bashkuar”.

Ekspertët janë duke analizuar pse këta persona kanë pësuar mpiksje gjaku. Kur një sëmundje ndodh menjëherë pas vaksinimit, është e drejtë të vihet në dyshim nëse vaksina mund të ketë kontribuar në ndonjë mënyrë.

Po Shqipëria?

Shqipëria ka marrë deri tani 38 400 vaksina te kompanise “Astra Zeneca” të cilat kanë nisur të aplikohen te mësuesit. Kryeministri Rama, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhe zyrtarët më të lartë të ISHP-së thonë se vaksina është e sigurt. Madje ata justifikohen se “ajo ka ardhur nga Suedia dhe nuk ka se si të jetë e dëmshme”.

Ka pasur edhe një variant tjetër të Ramës që “seria e dozave me probleme është hequr nga qarkullimi dhe se ne nuk na kanë ardhur nga ajo seri”. Ndoshta do të ishte minimumi që të paktën deri në fund të kësaj jave edhe Shqipëria të pezullonte shpërndarjen e Astra Zeneca deri në sqarimin e situatës nga EMA siç po bëjnë vende më të zhvilluara.

Edhe pse do të linte kreun e qeverisë disa ditë pa dalë në TV