Çka do të sjell Buçkovski nga Bullgaria?

Advertisment

Çka do të sjellë përfaqësuesi i posaçëm Buçkovski nga Bullgaria? Përgjigjen të cilën Ministria e Jashtme e Maqedonisë e pret që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ose siç thonë nga MPJ bullgare, planin aksionar për bashkëpunim me vendin tonë në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes, plan i cili u referohet të gjitha ministrive? Buçkovski në një deklaratë për “MIA”, tha se do të shqyrtohet komentet e Bullgarisë lidhur me planin tonë aksionar dhe do të ndërtohet një pozicion i qartë, por nuk zbulon detaje me çka lidhen këto komente.

“Pavarësisht nga intensiteti i udhëtimeve dhe takimeve të mia, interesi i të dyja palëve është i qartë – të mos lejohet ngrirja e marrëdhënieve ose komunikimit vetëm përmes mediave ose përmes ndërmjetësuesve. Afërsia jonë si dy kombe dhe dy shtete me momente të përbashkëta nga e kaluara dhe pikëpamje të përbashkëta për historinë, bën që të dyja palët të ndërmarrim hapa për të gjetur një zgjidhje”, tha Vllado Buçkovski – përfaqësues i posaçëm.

Reklame

Sipas shkrimeve të “Euroaktiv” në Bruksel, Bullgaria praktikisht ka paraqitur planin e saj aksionar dhe me këtë, siç pohon, po përpiqet ta ulë tensionin midis dy vendeve. Sipas burimeve diplomatike, propozimet e Sofjes kanë të bëjnë me hekurudhat, rrugët, investimet e ndërmarrjeve bullgare në Maqedoni, si dhe me hapjen e kampuseve të universiteteve bullgare. Në planin në fjalë, gjithashtu janë përfshirë edhe disa pjesë për tekstet shkollore të historisë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në intervistën e djeshme për TV21 tha se propozimi ynë në planin aksionar është të avancohet bashkëpunimi i përgjithshëm midis dy qeverive.

“Ne konsiderojmë se pavarësisht këtyre ndryshimeve që kemi në lidhje me disa çështje, ministritë duhet të vazhdojnë me realizimin e agjendës së tyre të bashkëpunimit. Projektet infrastrukturore duhet të vazhdojnë, bashkëpunimi në kulturë, arsim dhe sektorë të tjerë, të gjitha ato përfshihen në planin aksionar që z.Buçkovski duhet ta ndjekë në bazë ditore”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ndryshe, ky dokument duhet të nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar.