Çmimet e kurbaneve në Maqedoni nga 90 deri 120 euro, deshët deri 250 euro

Advertisment

Në prag të festës së Kurban Bajramit besimtarët muslimanë në Maqedoni, vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës.

Besimtarët kujdesen për blerjen e produkteve ushqimore, por edhe për përgatitjen e kurbanit, simbolit të festës, ndërsa kujdesen edhe për xhamitë në vendet e tyre për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Reklame

Festën e Kurban Bajramit në Maqedoni edhe këtë vit e shoqëron organizimi tradicional i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të këtij vendi, e cila bën grumbullimin dhe prerjen e kurbanit si dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit.

BFI thotë se shuma të cilën një besimtar duhet ta ndajë për një kurban është 120 euro, mishi i të cilit mund të merret ose t’i dhurohet BFI-së, me të cilin ajo mirëmban institucionet edukativo arsimore të saj, pesë Medresetë dhe Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Paralelisht me këtë, tashmë për disa ditë në Shkup është i hapur tregu i improvizuar i bagëtive, në të cilin besimtarët muslimanë mund të vijnë për të blerë një kurban. Aty mund të gjenden kurbanë (dele) nën çmimin zyrtar prej 90 eurove, por ka edhe mbi këtë çmim, që shkojnë deri 250 euro për deshë të ruajtur mirë.

Më saktësisht, çmimi në tregun e bagëtive në Shkup është 90-150 euro për një dele, 230-250 për një dash, ndërkohë që çmimi i bagëtive të mëdha varion mes 550-600 dhe 650 euro.