Çmimi i lartë i derivateve, rritet interesimi për biçikleta dhe trotinetë elektrik

Shtrenjtimi i karburanteve ka bërë që qytetarët të shfaqin më shumë interes për blerje të trotineteve elektrik dhe biçikletave, duke i parë të njëjtat si mënyrë për reduktim të shpenzimeve për transport. Rritjen e interesimit për të blerë trotinet elektrik e pohon edhe Kire, shitës në një nga bizneset në kryeqytet.

“Për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve, kërkesa për trotinet elektrik është rritur. Gjëja më e rëndësishme tek një trotinet, për të cilën pyesin është sa gjatë i reziston bateria. Të kalojë më shumë kilometra dhe të harxhojë më pak më një mbushje. Çmimet variojnë nga 20 mijë deri në 90 mijë denarë. Më e rëndësishme që trotineti të ketë jetëgjatësi të mos përdoret nga dy persona njëkohësisht, të mos përdoret në kohë më shi dhe të shmangen gropat”, deklaroi një shitës.

Mirëpo kjo mënyrë e transportit kërkon infrastrukturë më të mirë. Gjë që nuk e gëzojnë banorët e Komunës së Çairit, të cilët zgjedhin të udhëtojnë qoftë me trotinet apo biçikletë. Në trotuar pengojnë qytetarët që ecin, në rrugë rrezikohen nga veturat.

“Të ju them të drejtën jemi për askund. Nuk ka rregull, shikoni se ku drejtojnë veturat. Po të dalim aty me biçikleta do të na shtypin. Nuk jam aspak i kënaqur. Këtë kam mjet transporti, biçikletën. Shteti duhet të hedhë pak para edhe për ne”, tha një qytetar.

“Gjendemi disi. Tek kjo pjesë gjithmonë drejtoj nëpër trotuar, atje ku kemi shteg për biçikleta, kaloj andej, aty ku s’kemi në trotuar. Si mundemi, ashtu bëjmë. Është e nevojshme të ketë parkingje, është e nevojshme të ketë shteg për biçikleta, është e nevojshme të lirohet trotuari për lëvizje të lirë të këmbësorëve”, u shpreh një tjetër qytetar.

Trotinetet elektrik nuk janë ende të vendosur në një kategori të caktuar automjetesh për transport. Të njëjtët konsiderohen si shumë të ngadaltë për t’i drejtuar në rrugë kryesore dhe shumë të shpejtë për në trotuare. Shfrytëzimi i trotineteve elektrik, i cili u përqafua edhe më shumë nga qytetarët gjatë dy viteve të fundit si mënyrë transporti, ndikon si në uljen e ndotjes së ajrit ashtu edhe në reduktimin e trafikut./Alsat.mk