CNN fton ndjekësit të provojnë Ksamilin, Himarën & Dhërmiun, mes perlave të Europës

Në një artikull të sajin, media prestigjioze amerikane CNN, i bën jehonë bregdetit shqiptar teksa fton ndjekësit e saj që ta vizitojnë vendin tonë. Teksa liston vende si Franca, Portugalia, Spanja, Italia e Greqia, CNN nuk lë mënjanë jugun e Shqipërisë. Sjell në vëmendje jo vetëm detin, por edhe historinë, ushqimin, çmimet e mikpritjen.

“…Shumë më pak e prekur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende disi një sekret që vizitohet nga udhëtarët e zgjuar, por gjasat që të qëndrojë e fshehur për një kohë të gjatë janë të pakta. Kroatët dhe europianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar. Është përrallor, është tepër i lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet, gjithçka është këtu.”

“Ndër plazhet për të eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera Shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, Himara dhe Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me pjata të lira me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të kapur direkt nga deti Jon, ndërkohë që shijoni hapësirën e saj vezulluese”, shkruan CNN në artikullin e saj.
Artikullin në fjalë e përcolli në rrjetet sociale edhe Kryeministri Edi Rama.

“EDHE CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Europës. Ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediat ndërkombëtare. Koha kur Shqipëria verore dilte tek-tuk në ndonjë media të huaj, si vend i mbushur me plehra i përket të kaluarës, tanimë kemi hyrë në një rrugë të re. Na duhet shumë punë akoma në këtë rrugë, por e dimë ku duam të shkojmë, si shkohet aty ku duam dhe se sa të mëdha i kemi dëshirën, energjinë e durimin për t’ia dalë”, shkruajti Rama./tvklan.al