Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paralajmëruar për nesër në orën 11:00, është shtyrë për një ditë tjetër.

Në njoftimin për media nuk janë dhënë arsye.

Por sot Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe një zyrtar tjetër i lartë i administratës së Kuvendit, kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Të dy ata janë të izoluar në shtëpitë e tyre. Lajmin se është prekur nga virusi korona e ka konfirmuar Krasniqi për AktivPress.

“Pas kryerjes së testit ka rezultuar të jem prekur me Covid-19. Menjëherë e kam njoftuar Kuvendin dhe aktualisht jam në izolim në shtëpi”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka pohuar se rasti i tij nuk është i izoluar pasi është edhe një zyrtar tjetër i lartë i administratës që po ashtu është konfirmuar me Covid-19.

“Identiteti i zyrtarit të infektuar është i njohur për administratën e Kuvendit. Edhe ai është në izolim”, ka thënë Krasniqi.

Po sot, shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka bërë me dije se bashkë me anëtarët e familjes së tij janë infektuar me Covid-19.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka deklaruar se nëse ka probleme me infektime të ligjvënësve, atëherë është mirë që seancat parlamentare të shtyhen.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka reaguar duke thënë se rritja e konsiderueshme e rasteve me Covid-19, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve.

Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të masave anti-Covid, nëse do të ketë rritje të rasteve.

Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë deri më tani është 2677.