Çun Lajçi në Tetovë mirëpritet nga Vullnet Ameti

Advertisment

Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi, sot në Tetovë përderisa në sheshin e qytetit, përkatësisht para ambienteve të Fakultetit të Arteve të UT-së, ishte duke shitur disa nga veprat e tij lexuesve tetovarë, atë e ka befasuar me vizitën e tij Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Pas përshëndetjes së tyre vëllazërore, Çun Lajçi shprehu falënderimet e tij ndaj Rektorit të Universitetit të Tetovës për vizitën, duke u ndjerë shumë i nderuar dhe i vlerësuar nga një personalitet shqiptar nga Tetova siç është Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

“Nuk paska kënaqësi më të mirë se sa të qëndrosh shesheve të qyteteve e me komunikuar me qytetarë të kategorive të ndryshme, por kënaqësia më e madhe sot për mua në Tetovë ishte vizita e juaj z. Rektor, unë e çmoj shumë këtë nder që ma keni bërë, për mua Ju personalisht jeni njeriu që unë më së shumti e dua dhe e çmoj. Siç ua kam thënë edhe në takimin që kemi pasur në ambientet e Universitetit të Tetovës, por edhe sot këtu, përsëri po ua them, sa herë që Universiteti Juaj të ketë nevojë për mua, për zërin tim, për aktrimet e mia, unë jam i gatshëm që të vij e t’u nderoj, sepse prania ime në atë institucion edhe mua më bën të ndjehem krenar” – tha mes tjerash aktori Çun Lajçi.

Reklame

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi aktorin Çun Lajçi për iniciativën që kishte ndërmarrë për të shitur veprat e tij në disa nga qytetet shqiptare të vendit dhe për t’i takuar personalisht shqiptarët e këtyre trevave.

“Unë do të dëshiroja që sot t’u kemi brenda ambienteve të Universitetit tonë për t’ua ofruar këto botime edhe stafit akademik dhe studentëve, por siç e thatë edhe Ju më herët, se takimet me qytetarët në sheshet e qyteteve të japin kënaqësi dhe ndjenja të veçanta, unë nuk do t’u marr shumë kohë, me qëllim që edhe qytetarët e tjerë të takohen e të bisedojnë me Ju, sepse personaliteti i Juaj jo vetëm që nderohet e gëzon respekt të madh te tetovarët por ju gjithashtu keni respektin e të gjithë kombit shqiptar. Sa herë që Ju të vini në Tetovë asnjëherë mos e harroni se e keni një konak, Universitetin i Tetovës, që e themeluan dhe e rritën shqiptarët, ai është vatra e Juaj dhe Ju sa herë që të dëshironi jeni i mirëseardhur e i mirëpritur” – u shpreh mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Gjithashtu, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti më pas i bleu edhe disa nga veprat e Çun Lajçit, ndërsa atij si dhuratë i ndau botimet e fundit të UT-së. Zyra për informim