Çuni im dhe maqedonishtja!

Advertisment

Nga Naser Pajaziti

Çuni im 10 vjeçar ka njohuri thuajse minimaliste të gjuhës maqedonase, vështirë e ka të merret vesh edhe në dyqanin e komshiut.

Reklame

Pak metra më poshtë lagjes jetojnë moshatarë të tij maqedonas, që s’kanë kokërr interesi për të mësuar gjuhën shqipe, apo edhe një fjalë nuk e dijnë në shqip.

Këta fëmijë të lagjes po jetojnë në dy botëra dhe rrallë herë rastisin të takohen dhe të lozin, e për çudi kam hasur që dilemat dhe mosmarrëveshjet në komunikimin e tyre i zgjidhin në gjuhën angleze.

Bota e internetit ka bërë që të bunkerizoj këtë gjeneratë, e cila jeton dhe komunikon në këtë frymë dhe stil të ri jetese, ku shumicën e kohës e kalon aty.

Pjesën tjetër të kohës e kalon pranë televizorit, duke ndjekur kryesisht platformat e mirënjohura shqiptare, që ofrojnë filma të animuar e programe të ndryshme argëtuese edhe për këtë moshë. Ata më nuk janë gjenerata e “kockicave” të Brankos e “crtani filmave”.

Ata janë gjenerata e globalizmit të ‘fortnite’, ‘yutube’-rave, ‘snapchat’-it, ‘donuts’-ave, dhe komunikimit masiv të pushtuar nga anglishtja.

Debati me këtë gjeneratë për nevojën e mësimit të maqedonishtes është tejet i padobishëm dhe shpesh i anashkaluar nga mentaliteti dhë vëmendja e fëmijës, pavarësisht inkurajimit dhe nevojës se duhet të mësohen gjuhët.

Po vjen një gjeneratë e re e rritur në këtë frymë që as që do të dëgjoj të mësojë gjuhën e fqiut, përballë sfidave globaliste.

Edhe një studim i UNICEF nënvizon se nxënësit janë të ngarkuar me stereotipe dhe paragjykime etnike (kryesisht pozitive për grupin e vet etnik, kurse negative për “të
tjerët”), për të cilët ekziston mundësi e madhe të jenë të përkrahura prej arsimtarëve të cilët në mënyrë identike i perceptojnë bashkësitë etnike.

Mungesa e një strategjie shtetërore, edhe kushtetuese, librat dhe përmbajtja e tyre e përçunduar që ende nuk është pastruar, politika e mohimit të vazhdueshëm, mungesa e akceptimit të realitetit për të respektuar të drejtën e çdokujt në këtë shtet, ka krijuar këtë frymë, që ka prekur në palcë gjithë ne ku po jetojmë.

Në këtë aspekt retrograd hyjnë edhe shumë faktorë të tjerë që këtë vend po e çojnë drejt një destinacioni me përplotë ndasi dhe të panjohura. Ky realitet konsiston me thënien e famshme “Kur bota humb fillin, e fajin ta hedh ty…”.