Dalëngadalë po numërohemi, për dy ditë janë regjistruar 136.773 persona

Personat të cilët janë në izolim për shkak të infektimit me Covid-19 , do të mund të regjistrohen në marrëveshje me regjistruesit e Entit Shtetërorë për Statistika. Drejtori i Entit, Apostol Simovski, thotë se regjistruesit do të kenë adresat e tyre që pastaj të mund të merren vesh bashkërisht për regjistrim sipas protokolleve ose të presin derisa personi të lirohet nga izolimi.

“Regjistruesit do të marrin adresa për të cilat ose duhet të presin gjegjësisht të merren vesh se kur mund të shkojë regjistruesi ose të organizohet procesi i regjistrimit sipas protokolleve për mbrojtje nga Covid-19”, tha Simovski.

Gjatë ditës së djeshme sistemi i regjistrimi kishte rënë, ndërsa regjistruesit rajonal kanë hasur në probleme, por zv.drejtori Ilmi Selami, tha se problemi është tejkaluar dhe funksionon pa probleme.

“Kishim një problem teknik dje që na u paraqit, bëhet resetimi i sistemit dhe tani aptejdohen (update) të gjitha të dhënat dhe shpresoj që dita e sotme dhe ditët në vazhdim deri më 30 shtator gjithçka do të vijoje mbarë ashtu siç duhet”, tha Selami.

Simovski e Selami në Kumanovë mbikëqyren procesin e regjistrimit, ndërsa Aleksandër Gelevski, regjistrues rajonal i siguroi se nuk janë paraqitur probleme me qytetarët dhe se me sukses po kryhet regjistrimi.

“Kemi angazhuar 310 persona prej të cilëve 258 regjistrues rajonal, 26 persona si instruktorë rajonal dhe 26 persona regjistrues rezervë. Të gjithë personat e angazhuar kanë dalë në terren, deri më tani nuk janë paraqitur probleme të caktuara nga ana e qytetarëve, shfaqen probleme teknike të cilat deri më tani në kohë janë tejkaluar“, tha Gelevski.

Nga Enti për Statistika thonë se deri tani nuk janë shqiptuar dënime për qytetarët që nuk kanë pranuar të regjistrohen edhe pse një gjë e tillë është e lejuar me ligj. Ndryshe deri në ora 11-të të ditës së sotme, janë regjistruar 136.773 persona, gjegjësisht 41.478 amvisëri dhe 59.953 banesa. Deri me 30 shtator do të mund të regjistrohet online edhe diaspora, ndërkaq qytetarët nga diaspora që jetojnë jashtë vendit, e që nuk kanë mundësi të regjistrohen përmes aplikacionit online,do të mund të regjistrohen edhe nga familjarët ose të afërmit e tyre në Maqedoninë e Veriut, persona që i dinë të dhënat për personin në fjalë.