Danimarka heq koronavirusin nga kategoria e sëmundjeve kritike

Kryeministrja Mette Frederiksen tha se duke hequr COVID-19 nga kategoria e sëmundjeve kritike në aspektin shoqëror, kanë vendosur të shfuqizojnë të gjitha kufizimet që nga 1 shkurti

Danimarka heq koronavirusin nga kategoria e sëmundjeve kritike

Reklame

Kopenhagë

Qeveria daneze ka vendosur të shfuqizojë të gjitha kufizimet që nga 1 shkurti, duke e hequr po ashtu koronavirusin (COVID-19) nga kategoria e sëmundjeve kritike në aspektin shoqëror, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministrja Mette Frederiksen tha se duke hequr COVID-19 nga kategoria e sëmundjeve kritike në aspektin shoqëror, kanë vendosur të shfuqizojnë të gjitha kufizimet që nga 1 shkurti dhe për këtë kanë marrë mbështetjen e plotë nga partitë e tjera në parlament.

Ajo vuri në dukje se aplikimi i pasaportës së vaksinimit do të vazhdojë vetëm për hyrjet në Danimarkë nga jashtë.

“Kemi vendosur të heqim të gjitha kufizimet që nga 1 shkurti. Në fund të janarit, në fillim të shkurtit, numri i të infektuarve me COVID-19 do të arrijë kulmin dhe më pas do të ketë ulje”, tha Frederiksen.

Ajo u shpreh se edhe nëse kufizimet mbesin në të kaluarën dhe jeta e përditshme kthehet, autoritetet do të ndjekin të dhënat mbi koronavirusin, duke shtuar se do të aplikohet edhe doza e katërt e vaksinës kundër COVID-19.

Më 10 shtator 2021, në Danimarkë u njoftua se pandemia e koronavirusit ishte plotësisht nën kontroll dhe për këtë arsye u hoqën të gjitha masat. Më pas, pasi rastet dolën jashtë kontrollit, kufizimet filluan të zbatohen sërish nga 15 nëntori 2021.

Kryeepidemiologia e Institutit Shtetëror Danez Serum, Tyra Krause, në një deklaratë më 3 janar theksoi se varianti Omicron solli fundin e pandemisë COVID-19 dhe se njerëzit do t’i kthehen jetës së tyre normale brenda dy muajsh.

Sipas shifrave të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shëndetësisë, numri i personave që humbën jetën për shkak të COVID-19 në Danimarkë është rritur në 3.635. Numri i rasteve në vend ka shkuar në mbi 1,4 milionë.