Dauti: Haraçina e harruar, ky bastion dhe krenari e UÇK-së!

22
#

Haraçina meriton më shumë respekt”

Të zhgënjyer nga mosrealizimi i premtimeve që kanë bërë politikanët dhe kryetarët gjatë mandateve të tyre banorët e Komunës së Haraçinës tashmë po ballafaqohen edhe me “talljen” që po u bëhen këtyre ditëve. Që të jetë ironia edhe më e madhe dikush kinse paska premtuar gjoja punësimin e 300 pilotëve nga Haraçina. Nëse një njeri normal e lexon dëgjon këtë premtim të kësaj partie e para që i shkon ndër mend është nëse zyrtarët kanë qenë të dehur apo në gjumë kur e ka dhënë këtë deklaratë.

Pyetja tjetër që të lind është se Maqedonia nuk ka kapacitet për një numër kaq të madh të pilotëve sepse nuk është shtet me përmasa të Amerikës apo Gjermanisë, që të ketë nevojë për një numër aq të madh të pilotëve. Dhe, sikur të kishte nevojë, a besoni se pikërisht Haraçina do të ishte zgjedhja e qeverisë?

Dihet mirëfilli se Komuna e Haraçinës e cila numëron afro 20 mijë banorë dhe që ndodhet afër kryeqendrës – Shkupit, ka nevojë për investime në infrastrukturë, arsim shëndetësi dhe punësim të të rinjve dhe hapjen e perspektivave të reja për banorët e kësaj ane. Premtimet për punësimin e qindra pilotëve janë vetëm për të mashtruar masën e gjerë dhe për të shpërndarë mjegull.

Komuna e Haraçinës është anashkaluar nga shteti më dekada të tëra. Kjo fatkeqësisht vazhdon edhe sot e kësaj dite. Asgjë nuk ka ndryshuar. Si gjatë kohës së sistemit monist ashtu edhe në pluralizëm shteti nuk ka lëviz asnjë hap kur bëhet fjalë për këtë rajon. Edhe pse e shkatërruar nga lu fta e vitit 2001 që ishte një bastion dhe krenari e lu ftës çlirimtare të UÇK-së, Haraçina edhe sot e kësaj dite mbetet një vendbanim i harruar në të cilin nuk investohet.

Haraçina është atraktive për politikanët vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve. Në atë kohë bëhen premtime nga më të ndryshmet por vetëm pas një kohe të shkurtër Haraçinasit vazhdojnë të përballen me realitetin e hidhur. Të bësh premtime se do të punësosh 300 pilotë në një vendbanim të tillë me një popullsi të dendur dhe afër kryeqytetit në të cilin ende nuk ka ujë për pije është larg çdo logjike të shëndoshë, madje edhe tallje, nënçmim dhe ofendim me ndjenjat e banorëve të kësaj ane.

Në Haraçinë nuk ka as kanalizim, as çerdhe për fëmijë. Prindër i dërgojnë fëmijët me dhjetëra kilometra larg në çerdhe. Ambulancat nuk plotësojnë kushtet dhe standardet bashkëkohore, ndërsa nuk ka as objekte sportive e kulturore. Në objektet shkollore nuk është investuar me vite të tëra dhe të njëjtat janë në gjendje të rëndë. Ndërsa një komune maqedonase me vetëm 5 mijë banorë ka kushte disa herë më të mira dhe ku shteti investon natë e ditë.

Përderisa shumica e banorëve të Haraçinës jetojnë në mjerim në shek. 21 për shkak të papunësisë së madhe që mbretëron dhe kushteve të rënda jetësore dikush merr guximin që të tallet me banorët e kësaj ane. Nëse nuk dëshironi apo nuk mundeni ta ndihmoni Haraçinën ju lutemi mos e përdorni Haraçinën si mjet për tallje sepse shpejtë vjen dita kur përmes votës banorët e kësaj komune do të ndëshkojnë secilin që nuk mban premtimet dhe keqpërdor besimin dhe votën e dhënë. Haraçina meriton më shumë respekt dhe më shumë vëmendje.
Me respekt Daut Beqiri