SHGM: Dënojmë etiketimet publike të Aleancës për Shqiptarët ndaj TV 21

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon sjelljen e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, për statusin e postuar në profilin e tij në Twitter, ku ai akuzoi TV 21 se po shërbente si platformë propagandistike e BDI-së duke përdorur fondet e Bashkimit Evropian

Ky mesazh nga Sela erdhi pasi në emisionin EU Click, i cili është i përgatitur në kuadër të projektit Nordika, ishin të ftuar Bujar Osmani si Koordinator kombëtar për menaxhim me ndihmën e huaj në vend dhe Visar Ganiu, Kryetar i komunës së Çairit i cili më herët ishte pozitiv në testin për Kovid-19.

Reklame

Sipas TV 21, vetëm gjatë muajit të fundit, përfaqësuesit e ASH-së disa herë kanë qenë mysafirë në emisione të ndryshme të këtij televizioni. Prandaj, besojmë se statusi i zotit Sela paraqet një sulm mbi politikën editoriale të këtij mediumi dhe presion i drejtpërdrejtë ndaj gazetarëve që punojnë në emisionin EU Click.

Kjo nuk është hera e parë që TV 21 është shënjestër e kërcënimeve dhe etiketimeve nga politikanët vendas, ndërsa sulme të tilla veçanërisht shpeshtohen në kohë kur jemi në prag të fushatave zgjedhore. Theksojmë se nuk është detyrë e politikanëve që të vlerësojnë publikisht profesionalizmin e mediave dhe nëse kanë vërejtje për punën e tyre, duhet të paraqesin ankesa në Këshillin për Etikë në Mediat në Maqedoni ose në Këshillin e Nderit në SHGM.