Deri dje 137 persona me Kovid-19 dhe në izolim janë paraqitur për votim

Advertisment

Nënkryetarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Ditmire Shehu deklaroi se deri dje kërkesë për votim deri te komisionet komunale zgjedhore kanë dorëzuar 137 persona me test pozitiv për Kovid-19 dhe në vetizolim, si dhe 3.138 të sëmurë dhe persona të pafuqishëm.

Sa i përket pjesëmarrjes së punonjësve shëndetësorë në bordet zgjedhore dhe përjashtimin nga ana e KSHZ-së, Shehu tha se Komisioni nuk do të mund të thoshte se ka problem sepse ata të cilët dëshirojnë përjashtimin dorëzojnë dokumentacion se janë të penguar që të marrin pjesë në procesin zgjedhor në bordet e posaçme zgjedhore.

Reklame

“Ne përsëri do t’i ndryshojmë. Tani grumbullojmë të dhëna. Ndoshta do të njoftoheni përsëri do të hedhim short për punonjës të ri shëndetësor. Kemi pak problem në këtë pjesë”, tha Shehu.

Deri dje 80 punonjës shëndetësorë ishin përjashtuar nga bordet e posaçme zgjedhore.

“Kishim njëqind kërkesa, 80 personave iu është pranuar kërkesa”, tha nënkryetarja e KSHZ-së, duke sqaruar se disa prej tyre janë në pension, nuk janë më në marrëdhënie pune në institucione shëndetësore, disa janë jashtë vendit, disa nuk mund të gjenden.. Ajo potencoi se tani kanë kërkesë për përjashtim edhe nga ata të cilët ishin zgjedhur me short, pasi ishin përjashtuar.

Shehu tha se vetëm 10 për qind e vendvotimeve janë ndryshuar për shkak të ruajtjes së masave për mbrojtje nga Kovid-19.