Dëshmitari i rastit tragjik në Bullgari: Në autobus dyshohet se ka pasur fuçi me naftë

Një dëshmitar i rastit tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari në një deklaratë për TV21 thotë se dyshohet se brenda autobusit të ak sidentuar ka pasur fuçi me naftë. Ai thotë se në një pjesë të autostradës shihej derdhje e madhe e karburantit.

-Kjo po më ndodh për herë të parë. Kam parë shumë fatkeqësi, por për herë të parë po shoh trupa të djegur. Tani, sipas meje, arsyeja për këtë incident, për këtë katastrofë, së pari mendoj se bëhet fjalë për një gabim njerëzor.

Vozitësi ka ngarë me shpejtësi shumë të madhe, mbi 100km në orë, kurse është lejuar 90. Ai ka vozitur mbi 100. Është ngatërruar me shenjat e komunikacionit të cilat janë për kalim nga ana e majtë dhe e djathtë.

Atje ka një çezmë ku bëjnë pauzë, normalisht se ka shenjë komunikacioni, kurse autostrada ka dy korsi. Ai këtu është ngatërruar dhe në momentin e fundit, ka gjasa, po them – ka gjasa, sepse nuk mund të jetë ndryshe, ka pasur shikueshmëri të mirë, kurse autobusi është i ri.

Atje shihej edhe derdhje e madhe e karburantit. Pas kontaktit të hekurit me hekur janë paraqitur shkëndija. Karburanti dizel nxehet, por nuk ndizet, është një lëngë që ndizet vështirë dhe në atë moment është shfaqur një re si mjegull.

Ka ventilatorët të cilët duhet të depërtojnë ajër brenda kabinës, ajër të freskët, por ata ventilatorë nuk zgjedhin çka do të depërtojnë. Fillimisht udhëtarët ishin të shtangur, ata që ishin duke fjetur nuk kanë ndjerë asgjë. Ata që ishin të zgjuar kanë tentuar të dalin, por ishin të shtangur.

Pastaj vijon goditja e dytë. Autobusi hyn në gardh mbrojtës mes pjesës së parë dhe të dytë. Kjo ishte fatale. Në fakt, njëra pjesë e bllokon derën dhe nuk mund të hapet, kurse nga ana e majtë nuk ka derë dhe ja këtu tani është versioni im. Versioni im, po them – versioni im.

Nga goditja e parë deri te ndalja e autobusit ka 200 metra, ai ka rrëshqitur në autostradë, në asfalt. Ky është versioni im. Në këta autobusë gomat rezervë gjenden në pjesën e përparme. Nga pjesa e përparme e autobusit nxirret goma rezervë. Në fakt, vozitësit bëjnë një ndryshim.

E nxjerrin gomën prej atje dhe e vendosin në bagazh, kurse në vendin ku duhet të jetë goma rezervë vendosin gjësende të paligjshme, sepse kur e kalojnë kufirin këtë vend nuk kontrollohet. Këtë po e them në vetën e parë dhe në fund ndoshta do të dalë se ky version është i saktë. Atje ka pasur fuçi me benzinë.

Pas goditjes në gardh, shpërthen zjarr në autobus, tymi është brenda, kurse autobusi brenda 10-15 sekondave është kapluar nga zjarr i madh dhe kjo ndodh menjëherë. Zjarri i kaploi udhëtarët dhe kjo dëshmohet me faktin që udhëtarët që ishin ulur përpara dhe diku në mes në autobus, nuk kanë mundur të reagojnë, e as të qëndrojnë në vendin ku ishin ulur.

Kurse ata që ishin mbrapa kanë tentuar, por dera e pasme është e mbyllur, nuk ka si të dalin. Unë do t’ju tregoj edhe pamje në të cilat shihen kufomat e udhëtarëve… Ata kanë kapërcyer nga mbrapa. Kanë kapërcyer dhe kanë arritur të dalin 7 pasagjerë të cilët për momentin janë në “Pirugov” (spital në Sofje).

TV21: A ndjehej ndonjë erë kur mbërritët Ju?
-Era ishte shumë e rëndë, erë e mishit të djegur të njeriut.

TV21: Të mbijetuarit ishin në vendin e ngjarjes dhe praktikisht ishin dëshmitarë të asaj pamjeje?

-Po, po asgjë nuk është lëvizur. Vetëm shkrepeshin foto, pa hyrë në autobus, pa prekur asgjë, sepse nuk ke të drejtë. Vetëm mund ta nxjerrësh telefonin dhe të incizosh.