Dhjetëra qytetarë mbi 20 orë të ngujuar nga barrikadat policore, s’mund të tranzitojnë nëpër Dibër (VIDEO)

Ka dhjetëra qytetarë që kanë mbetur të ngujuar në zonën neutrale, pasi duhet të tranzitojnë nëpër Dibër. Nuk lejohen të hynë në Dibër, e kurse duhet të shkojnë në shtëpitë e tyre. Bëhet fjalë për dy grupe familjesh, disa që duan të shkojnë në Tetovë, e pjesa tjetër në Ohër, raporton TV 21.

Grupi i parë i qytetarëve, kanë qenë në grup në piknik për peshkim në lumin Drin, e kurse tash duan të shkojnë në fshatin Çellopek të Tetovës. Por, për shkak se Dibra është izoluar, nuk i lejojnë të hynë në qytet e kurse ka 22 orë që janë duke pritur në vetura në zonën neutrale. Me ndalesë policore janë ndeshur edhe në anën tjetër, kah Struga.

“Ne gjendemi pikërisht te hidrocentrali i Glloboçicës. Kemi qenë në peshkim dhe dalim prej këtu, dhe shkuam në Dibër, po aty sna lanë me hy në Dibër edhe u gëzuam. Por kur kthehemi nga ana tjetër, për të shkuar nga Struga, ktu gjendet blloku tjetër. Faktikisht kemi mbetur si tampo zonë që nuk mund të shkojmë as majtas as djathtas. Ne jemi të qytetit të Tetovës, të fshatit Çellopek dhe duam të shkojmë në shtëpi. Tash këtu nuk vjen as Kryqi i Kuq, as ekipi i mjekëve që të na kontrollojnë dhe të na shikojnë se a jemi për të na lëshuar a jo. Se edhe ne nuk jemi dakord të shkojmë në shtëpi nëse jemi të infektuar”, i tha TV 21 Faton Arifi nëpërmjet linjës telefonike.

E grupi tjetër i qytetarëve të ngujuar ishin nisur prej Shkupi për në Mavrovë dhe duan të shkojnë në Ohër. edhe ata kanë mbi 20 orë që presin, e kurse me grupin e parë të qytetarëve janë takuar rastësisht.

“Ishim duke udhëtuar prej prej Shkupi në Mavrovë dhe Ohër dhe qëlluam te punkti policor në hyrje të Dibrës. Vetëm kaluam dhe nuk u ndalëm askund. Mandej na treguan se nëse dalim nuk mund të kthehemi. Ne nuk kishim qëllim të ndalemi në Dibër, dhe as të kthehemi se skemi pse të kthehemi. Pastaj në dalje të Dibrës për në Strugë është edhe punkti policor tjetër, edhe aty nuk na lanë. Kështu kemi mbetur mbi 20 orë duke pritur”, tha Adelina Haskaj.

TV 21 e ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Dibrës, Hekuran Dukën. Ai tha se tërë ditën janë duke u munduar t’i zgjidhin këto probleme. Pasi u njoftua për situatën, tha se do të veprojnë pasi t’i marrin instrucionet e reja nga Qeveria.

E nga Qendra e Krizave premtuan se do ta zgjIdhin problemin.