Dibra ndër qytetet më të prekura nga koronavirusi

Qyteti i Dibrës është qyteti me numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi në Maqedoni ku nga gjithsej 9 raste, 7 prej tyre janë nga Dibra.

Pas kësaj situate alarmante, në ambientet e Komunës Dibër është zhvilluar mbledhje e jashtëzakonshme e disa institucioneve vendore ku si përfundim u vendosën disa pika për të marrë masat e nevojshme mbi rrezikun e koronavirusit.

Reklame

Institucionet komunale, shendetësore, fetare, emergjencat civile, etj. diskutuan mbi problematikat e mëposhtme dhe u dhanë disa propozime konkrete.

Të pezullohen ritet fetare nëpër xhami si falja e Namazit të Xhumasë apo 5 kohët e namazit, myftiu i qytetit bëri thirrje që namazet të falen nëpër shtëpi ndërsa nga xhamitë të thirret vetëm ezani.

Infektologu Mentor Mela bën apel që të evitohet maksimalisht dalja e qytetarëve në ambientet e jashtme publike.

 

Një shqetësim tjetër i ngritur ishte edhe neglizhenca që i bëhet Dibrës nga institucionet qendrore, numri i të prekurve është mjaft i lartë dhe në raport vendet tjera, Dibra edhe pse me numër të vogël banorësh ka më së shumti të infektuar, përkundër kësaj Shkupi nuk ka treguar vëmendje apo masa shtesë për të parandaluar përhapjen e virusit.

Gjithashtu u diskutua për mbylljen e kafeneve, lokaleve, bareve dhe restoranteve për parandalimin e përhapjes së virusit por një vendim të tillë ligjërisht nuk mund ta marrë komuna, kështu që gjithë qytetarët janë të lutur ti evitojnë në maksimum frekuentimin e tyre.

Që nga dita e nesërme, Komuna e Dibrës do fillojë të dezinfektojë hapësirat publike në qytet.

Këto ishin pikat kyçe mbi të cilat u diskutua dhe u mor vendim në mbledhjen e mbrëmshme të institucioneve vendore të Dibrës./InfoShqip/