Disa fjalë ‘(për)mbyllëse’ përkitazi me ‘Ballkanin e Hapur’…!

Nga: Sali Shasivari

Nën hijen e realitetit të hidhur botëror… Nën hijen e kaosit skandaloz evropian… Nën hijen e mungesës së perspektivave të qarta për rajonin e Ballkanit Perendimor… Nën hijen e mungesës së një ‘platforme mbarëkombëtare shqiptare’… Nën hijen e heshtjes makabre të akademive inekzistente të shkencave dhe arteve në ‘shqipëritë’ tona… Nën hijen e debateve ‘tallava’ të përmasave ‘shurdhuese’, të cilat po e rëndojnë dukshëm memorjen kolektive dhe shëndetin mental të popullit shqiptar të shumëvuajtur…

Dhe, pas një hezitimi të gjatë… Vendosa që edhe unë t’i them disa fjalë përkitazi me të ashtuquajturën iniciativë për ‘Ballkanin e Hapur’…; edhe atë, me qëllim që, edhe unë, sikurse shumëkush tjetër, të shpreh konfuzitetin tim personal karshi këtij ‘togfjalëshi’ magjik, për të cilin po diskutohet me aq zell…, e që, besa, jam më se i bindur se, edhe vetë ata që e kanë shpifur dhe sajuar një ‘gjepur’ të këtillë, nuk e dijnë mirëfilli se çka – në të vërtetë – dëshirojnë të realizojnë…, përpos tentimit të tyre të rradhës për të përfituar kohë, dhe për të realizuar disa interesa të tyre të ulëta…; edhe atë, deri në sajesën e rradhës…!

Kështu, dikur ‘Minishengeni’…; para disa vitesh ‘Procesi i Berlinit’…; ndërsa, tani për tani, ‘Ballkani i Hapur’…; janë vetëm disa nga termet e shumta ‘mirakëndëse’ të cilat i kemi dëgjuar përgjatë më shumë se tri dekadave të fundit të periudhës së ‘tranzicionit’ infinit si dhe procesit të “demokratizimit” inekzistent të vendeve të ashtuquajtura ‘Shtete të Ballkanit Perendimor’ (Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut)…!

Përreth aspektit formal dhe ‘mirakëndës’ që ngërthejnë në vetvete këto terme… Realiteti është se, iniciativat në fjalë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ‘kallëpe’ dhe ‘shabllone’ të sajuara nga persona dhe qarqe me prapavijë, agjenda, llogari, dhe hesape nga më të ndryshmet… ‘Kallëpe’ dhe ‘shabllone’ këto, të cilat, përpos që nuk respektojnë aspektet historiko-faktike, strukturën socio-kulturore, si dhe situatën politiko-ekonomike të këtyre vendeve dhe popujve në to…; të njejtat, mundohen ta rishkruajnë historinë, t’i ndryshojnë faktet dhe realitetet, ta ndryshojnë strukturën socio-kulturore, si dhe të imponojnë agjenda politiko-ekonomike të cilat nuk janë në interes të popujve të rajonit në përgjithësi, e sidomos të popullit shqiptar në veçanti…!

Për më tepër, termet – kushtimisht thënë ‘proceset’ – e këtilla ‘shterpe’, ashtu siç ‘mbijnë’ dhe përhapen si ‘kërpudhat pas shiut’…; të njejtat, brenda një kohe të shkurtër, veniten dhe zhduken në mënyrë ‘fantome’…, pa dhënë kurrfarë fryte në realitet…; duke u zëvendësuar me ‘pjella’ të reja jopjellore…! E gjithë kjo, pa mos nxitur fare ‘pikëpyetje’ dhe ‘pikeçuditëse’, apose ‘shpjegime’ dhe ‘arsyetime’ në lidhje me atë se, a thua vallë, çka ndodhi me ‘termin / procesin’ paraprak, e, që të zëvendësohet me ‘term / proces’ tjetër?!

Madje, ajo që është tejet indikative në gjithë këtë ‘sagë ballkanike’, është fakti se, kjo maskaradë që po ndodh dhe po reprizohet në vazhdimëse në ‘skenat’ e këtyre vendeve fatkeqe dhe famëkeqe, sajohet dhe dirigjohet nga ‘tregtarët e fateve njerëzore’, të cilët, për interesat e tyre meskine dhe agjendat e tyre djallëzore, si dhe, në emër të të ashtuquajturave “perspektiva euro-atlantike”, tashmë – për më se tri dekada – i kanë shndërruar këto shtete në ‘vende të pabanueshme’… Vende këto, në të cilat: në emër të ‘demokracisë’, po lulëzon ‘diktatorizmi’…; në emër të ‘ligjit’. dominojnë ‘lajkat’…; në emër të ‘së drejtës’, mbizotëron ‘destruktiviteti’…; në emër të ‘mirëqenies’, është ulur këmbëkryq ‘mjerimi’…; në emër të ‘integrimit’, po bëhet ‘dezintegrimi’ i gjithçkahit…; etj.!!!

E gjithë kjo, në suaza të ‘defokusimit’ dhe ‘talljes kolektive’ me popujt ‘hallexhinj’ të këtyre vendeve…; popuj këta, të cilët janë shndërruar në ‘mij laboratorik’ të ‘satrapëve’ të brendshëm dhe ‘kasapëve’ të jashtëm…; si dhe, vende këto, të cilat janë shndërruar në ‘poligone eksperimentale’ dhe ‘plantazhe për të mbjella ilegale’ të ‘tuxharëve’ lokalë si dhe ‘sehirbazëve’ ndërkombëtar…!

Ndonëse, këto terme (kushtimisht thënë ‘procese’), përdoren në konotacion të të ashtuquajturave ‘procese paraqasëse integruese’…; me demek, procese që i paraprijnë ‘integrimit të plotë europian’ të këtyre vendeve…; realiteti është se, mesazhi i vërtetë që po dërgojnë fuqitë evropjane – përmes ‘argatëve’ të tyre – është tepër dekurajues për popujt e këtyre vendeve… Mesazh ky, i cili tingëllon si vijon: ‘Duke marë parasyshë faktin se pritja juaj në portat evropjane do të zgjasë deri në një afat të panjohur; madje, ndoshta edhe mund të mos ndodhë fare…; është mirë që ju – në ndërkohë – të ‘eglendiseni’ (d.m.th. të lozni) në ‘kënetat’ tuaja rajonale, përderisa po prisi – si të pashpresë që jeni – përpara portave evropjane, të cilat mbase nuk do të hapen për ju kurrë’…!

Nuk ke se si e shpjegon ndryshe këtë ‘tallje’ tashmë tri-dekadëshe të Unionit Evropjan me vendet e ashtuquajtura ‘shtete të Ballkanit Perendimorë’, për të cilat, duket se, ky Union është në gjendje që të ofrojë dhe përkrahë çfarëdo platforme dhe iniciative tjetër, përpos integrimit të tyre të plotë në ‘gjirin evropjan’…!

E, kur ke parasyshë faktin se, Serbia, përreth gjitha bëmave të saj historike dhe aktuale, është më e përkdhelura e Evropës, si dhe promotori kryesor i iniciativës së ashtuquajtur ‘Ballkani i Hapur’…, me ç’rast, ‘të besueshmit’ dhe ‘konsumatorët’ e vetëm të idesë ‘pan-evropjane’ dhe ‘pan-Ballkani i Hapur’ mbeten ‘shqipëritë’ e copëtuara dhe të pashpresë (përfshi këtu edhe boshnjakët, me Bosnjën e tyre të sakatosur dhe të copëtuar’)…; atëherë, nuk ke se si të mos parashtrosh shumë pikëpyetje dhe pikëçuditëse karshi kësaj indiference evropiane ndaj këtyre popujve dhe vendeve në përgjithësi…, si dhe, ndaj iniciativës së ashtuquajtur ‘Projekt i Ballkanit të Hapur’, si alternativë – qoftë edhe e përkohshme – paraqasëse konform procesit dhe projektit të integrimit të këtyre popujve dhe vendeve në Unionin Evropian, në veçanti…!
E, për më tepër, kur ke parasyshë faktin se, projekti ‘Ballkan i Hapur’ i paraprin procesit të ‘Hapjes Zyrtare të Negociatave për Anëtarësim’ në Unionin Evropian…; si dhe, kur ke parasyshë faktin se, procesi i marrjes së ‘Statusit të Vendit Kandidat’, si i tillë, për shumicën e këtyre vendeve, ka zgjatur plotë tri dekada…

Në saje të gjithë kësaj, shtrohet pyetja se, a thua vallë, edhe sa dekada do t’u nevojitet këtyre vendeve – që nga momenti i ‘hapjes së negociatave’ – për integrim të plotë në Unionin Evropian…?!

Opcioni më optimist përkitazi me këtë, është maksima: ‘Zot, bëje ëndërr’…!
Ndërsa, opcioni më i mundshëm është ‘dezintegrimi’ i Unionit Evropjan, para ‘integrimit’ të këtyre popujve dhe vendeve në atë ‘union’…!
Qofsha gabim…