Disa komuna të Pollogut bllokojnë funksionimin e deponisë “Rusino”

Nëntë komunat e Pollogut edhe më tej vazhdojnë të mos realizojnë obligimin e tyre pagesor ndaj Ndërmarrjes së përbashkët për menaxhim me Rusinon, me qëllim që e njëjta të nis të funksionojë. Nuk kanë filluar as investimet e premtuara kohë më parë, siç është shtrimi me asfalt i rrugës deri në Rusino dhe rrethimi i deponisë.

Krerët e komunave të Pollogut javë më parë kanë mbajtur një takim koordinues me ç`rast, është vendosur që, deri më 15 qershor, që të gjitha komunat të shlyejnë obligimet që kanë ndaj Ndërmarrjes së përbashkët për menaxhim me Rusinon, për nisjen me punë të të njëjtës.

Ministri i ekologjisë Naser Nuredini tha sot se pas ndarjes së mjeteve të parapara nga komunat e Pollogut, do të nisin po ashtu edhe punimet e planifikuara që financohen nga shteti zviceran. Nuredini këto komente i bëri sot në Universitetin e Evropës juglindore, pas konferencës me temë ekonomia dhe ekologjia.

Hapur po ju them se gjithë kryetarët e komunave të Pollogut, akoma nuk kanë bërë pagesën e duhur që besoj se janë pagesa të vogla nga tre deri në 5 000 euro, por që duhet të bëhet nga çdo komunë në Pollog. Asnjëra deri më tani nuk e ka bërë dhe iu dhamë afat që deri më 15 qershor të bëhet ajo gjë dhe më pastaj me përkrahjen e Zvicrës do investohet në rehabilitimin e Rusinos.

Do bëhet asfaltimi, do rrethohet deponia do bëhet impianti për ujërat e zeza që dalin nga deponia dhe një peshore të shihet sasia e mbeturinave dhe lloji që hyjnë aty. Pas kësaj në marrëveshje me BERZH do të investojmë në strukturat bazike për mbetjet, pra deri në 17 milion euro do investohen në rajonin e Pollogut”, tha Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë. ALSAT