Disa shtete rivendosin masat kufizuese pas rritjes rekorde të rasteve me COVID 19

Advertisment

Rastet e reja me koronavirus po rriten në të gjithë Evropën, me numëra rekord të rasteve ditore në disa vende në ditët e fundit, duke i detyruar të rivendosin kufizime.

Bashkimi Evropian dhe Britania po regjistrojnë një mesatare prej afro 48,000 rastesh në ditë, derisa rastet e reja kanë shënuar rritje shumë më të lartë se në kulmin e pandemisë në Evropë në prill, ku shumë vende u futën në izolim.

Reklame

Franca më 3 tetor theu rekordin e saj për infeksione të reja ditore të koronavirusit, me 16,972 raste të regjistruara në 24 orë, duke i çuar rastet totale të konfirmuara në 606,625.

Vendosja e maskës është e detyrueshme edhe në ambiente të hapura në shumë qytete franceze, ndërsa në qytetin e Marsejës, baret dhe restorantet janë plotësisht të mbyllura.

Edhe në Paris, ekziston mundësia që do të vendosen kufizime për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja me COVID-19.

Britania regjistroi 12,872 infeksione të reja me koronavirus më 3 tetor, numri më i lartë ditor që nga fillimi i shpërthimit të virusit, megjithëse shifrat përfshijnë një numër të rasteve të paraportuara më parë.

Qeveria ka vendosur kufizime në tubimet shoqërore dhe pothuajse një e treta e popullsisë prej 66 milionë banorësh të vendit është nën masa të bllokimit.

Edhe Spanja po përballet me një valë të re të rritjes së rasteve të reja, gjë që ka detyruar autoritetet të rivendosin kufizime.

Kufizimet e reja në Spanjë do ta vendosin kryeqytetin dhe rajonin përreth tij – një zonë me më shumë se 6 milion njerëz – përsëri në bllokim të pjesshëm, duke e bërë atë kryeqytetin e parë evropian që rivendos kufizimin.

Rajoni i Madridit ka 859 raste në 100,000 njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Madrid dhe nëntë komuna përreth do të mbyllin kufijt për të huajt për vizita jo-emergjente, por do të lejohen udhëtime për punë, shkollë, takime mjekësore dhe blerje.

Ndërkaq, autoritetet në Repiblikën Çeke raportuan 2,556 raste të reja të koronavirusit më 3 Tetor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 80,605.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të kufizojë tubimet në 20 persona jashtë dhe 10 persona brenda, do të ndalojë audiencën në ngjarjet sportive, të mbyllë shkollat e mesme si dhe do të kërkojë nga vullnetarët e shkollës së mjekësisë që të ndihmojnë në spitale.

Nuk është vetëm në Evropë ku po vijnë kufizime të reja. Irani më 3 tetor ka rivendosur masat për të përmbajtur virusin në provincën Teheran, njoftoi televizioni shtetëror, duke mbyllur hapësirat publike dhe duke anuluar ngjarjet për të paktën një javë pas një rritjeje të vazhdueshme të rasteve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur pandemi sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, më 11 mars.

Në të gjithë botën janë rreth 240 vaksina potenciale në zhvillim e sipër. Prej tyre, 40 janë në prova klinike dhe nëntë në fazën përfundimtare të testimit në mijëra njerëz.

Zhvillimi i vaksinave normalisht zgjat me vite, por për shkak të urgjencës globale, shkencëtarët thuhet se po punojnë me shpejtësi marramendëse.(REL)