Do të digjitalizohen shërbimet publike, projekti u prezantua sot në Tetovë

Advertisment

I kemi të gjitha mundësitë, punën e kemi kryer dhe shumë shpejt të gjitha shërbimet publike në Maqedoninë e Veriut do të mund të merren me vetëm disa klikime, apo përmes telefonit celular, kështu u shpreh sot Ministri i Shoqërisë informatike dhe Administratës, Mançevski, gjatë prezantimit të projektit për digjitalizimin e shërbimeve publike në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), ku pjesëmarrëse ishte edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shkruan Portalb.mk.

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut ekziston ueb faqja uslugi.gov.mk në të cilën qytetarët mund të marrin gjithsej 128 shërbime publike, me qëllim që numri i këtyre shërbimeve të rritet nga Ministria e Shoqërisë informatike dhe Administratës sot prezantuan projektin “Me një klikim, tek të gjitha shërbimet tuaja” .

Reklame

Folës në këtë tribunë ishin Ministri i Shoqërisë informatike dhe Administratës Damjan Mançevski, Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, Boban Milosavleski dhe Azir Aliu.

Sipas ministrit Mançevski, 128 shërbime publike të cilat merren në mënyrë elektronike nuk janë të mjaftueshme dhe pikërisht për këtë, me këtë projekt synojnë që ky numër të rritet sa më shumë në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të enden në institucione për marrjen e shërbimeve publike.

“Qëllimi i këtyre tribunave është që përveç qytetarët, t’i njoftojmë edhe institucionet me të gjitha ato mundësitë që tanimë ofrohen nga institucionet për dhënien e shërbimeve në mënyre elektronike. Ne i kemi bukfalisht të gjitha elementet, që të mund të gjitha shërbimet të ofrohen në formë elektronike, për këtë është e nevojshme të rritet vetëdija institucionale, të rriten kapacitetet njerëzore dhe teknike. E kemi shumë të rëndësishme ti njoftojmë të gjitha institucionet, se çfarë mund të bëjmë bashkë me to në mënyrë që shërbimet publike të digjitalizohen sa më shumë dhe të bëhen më efikase. Sot kemi 128 shërbime elektronike në ueb faqen uslugi.gov.mk, ky numër gati çdo ditë pëson rritje” tha Ministri i Shoqërisë informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Kjo ngjarje, edhe pse u mbajt në një ndër qytetet ku shumica e qytetarëve i përkasin nacionalitetit shqiptar, as në bilbordet e as në prezantim nuk kishte as edhe një shkronjë në gjuhën shqipe. I pyetur për këtë, ministri Mançevski tha se thjesht është një “Gabim teknik”.