Do të lehtësohen kushtet për të bërë biznes dhe për të hapur kompani

Advertisment

Ministritë e Ekonomisë dhe të Financave në periudhën e ardhshme do të punojnë në lehtësimin e kushteve për të bërë biznes, nxitjen e investimeve të huaja dhe uljen e kufirit për themelimin e kompanisë, njoftoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Inkurajimi i investimeve vendore dhe të huaja dhe lehtësimi i procedurave për realizimin e tyre është përparësia jonë. Në periudhën e ardhshme së bashku me Ministrinë e Financave, ne do të punojmë në uljen e ndjeshme të kufizimeve në krijimin e mjeteve të investimeve përmes Ligjit të veçantë të biznesit dhe ndryshimeve në Ligjin për fondet e investimeve.

Reklame

Ne tashmë jemi në fazën përfundimtare në procesin e analizave dhe rekomandimeve për forcimin e mëtejshëm të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, transformimi i tij për të pasur rezultate afatgjata. Kjo do të mundësojë hyrjen e fondeve të investimeve të huaja si partnerë strategjikë të Fondit në mbështetje të rritjes ekonomike, bazuar në inovacionin dhe futjen e teknologjive të reja”, tha Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Në këtë drejtim, shtoi ai, ne do të vazhdojmë të investojmë në parkun e shkencës dhe teknologjisë që filloi operacionet në mars të vitit 2019 në mënyrë që ai të ishte plotësisht funksional në vitin 2025.

 

“Qëllimi në katër vitet e ardhshme është që Republika e Maqedonisë të Veriut të bëhet përshpejtues rajonal për fillestarët i cili do të na bëjë qendër për zhvillimin e bizneseve të reja për ndërmarrësit e rinj, me potencial për rritje të shpejtë. Me prezantimin e përshpejtuesit rajonal, brenda gjashtë muajve nga njoftimi i thirrjes së parë, fusha e aplikantëve do të zgjerohet në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndër përparësitë për inkurajimin e inovacionit në vend është dhe fshati maqedonas për të krijuar ‘start-ap fshat’ i cili do të ofrojë mundësi për shumë të rinj nga vendi dhe jashtë vendit për të filluar biznes pa pasur nevojë të paguajnë shpenzimet e përgjithshme”, theksoi Bekteshi.

Ai theksoi se në dy vitet e kaluara, Plani i rritjes ekonomike mbështeti 268 ndërmarrje që kishin investim të përgjithshëm prej 420 milion euro.

“Plani i rritjes ekonomike tregoi që kompanitë investojnë dhe punësojnë dhe në katër vitet e ardhshme ne do të vazhdojmë në këtë drejtim duke shtuar dhe zgjeruar fushën e ndërmarrjeve dhe projekteve. Deri në fund të vitit, brenda Planit të rritjes ekonomike së bashku me ministrinë e Financave do të krijojmë fond të veçantë të kapitalit që do të jetë nxitje e konsiderueshme për hyrjen e fondeve të investimeve të huaja dhe si pjesë e projekteve që do të përqendrohemi në periudhën e ardhshme është kushtet për të bërë biznes”, tha Bekteshi.

Ai kujtoi se procedura për ndryshime ligjore tashmë ka filluar e cila mundëson themelimin e kompanisë me shumë minimale të kapitalit bazë prej një euro.

“Me këtë masë, qytetarët do të kenë mundësinë të krijojnë kompani me kosto minimale dhe të realizojnë idetë dhe planet e tyre të biznesit përmes ndërmarrjeve të sapohapura. Ne jemi gjithashtu duke punuar në krijimin e regjistrit të detyrimeve parafiskale i cili do të synojë përmes reformave në institucione për të ulur detyrat parafiskale në 75 për qind dhe t’i nivelojë ato në përputhje me madhësinë e subjekteve ekonomike, përmes dialogut me odat ekonomike”, tha Bekteshi.

Për mbështetje të biznesit në mandatin e ardhshëm katër vjeçar, shtoi ai, ne do të punojmë në uljen e kostove dhe procedurat administrative për marrjen e dokumentacionit ligjor për nevojat e biznesit siç janë dokumentet nga Regjistri Qendror, doganat, dokumentacioni për pjesëmarrje në tenderë dhe institucione të tjera shtetërore.